Motrat Zenelaj, karrierë të suksesshme në Hollywood
Prishtinë, 24 gusht - Dy motrat shqiptare, aktorja Greta dhe regjisorja Vilma Zenelaj, çdo ditë e më tepër janë duke korrur suksese në Hollywood. Ato në Los Angeles kanë hapur edhe kompaninë e tyre filmike Colored Films LLC, nga e cila kanë dalë filma të suksesshëm, e të cilët janë shpërblyer edhe me çmime të shumta.
Greta Zenelaj në këtë intervistë për gazetën Epoka e re ka rrëfyer fillimet e karrierës së saj në Shqipëri, pasionin e madh për artin, vështirësitë, sfidat si dhe konkurrencën e madhe për të arritur në kinematografinë hollivudiane.
Ajo ka folur edhe për projektet e shumta kinematografike, si dhe rreth projektit më të ri shqiptar - filmin Shqipe.
Ne jemi shumë krenare për këtë projekt sepse është një histori shqiptare-amerikane dhe do të kemi mundësi ta xhirojmë këtu në Shqipëri, po ashtu të punojmë me aktorë shqiptarë dhe në gjuhën shqipe. Shpresojmë të bëjmë më tepër projekte të tilla në të ardhmen sepse ne si shqiptarë kemi shumë histori të bukura për të treguar, sidomos ato të lashtësisë, ka thënë Greta.
Zenelaj ka theksuar se ka filluar të merret me art qëkur kam qenë fëmijë në Shkodër, duke marrë pjesë në shumë festivale këngësh, po ashtu grupe recitimi, shkrime me poezi, histori të shkurtra etj.
"Kur isha adoleshente gjërat ndryshuan sepse edhe Shqipëria kishte shumë ndryshime në historinë e saj. Atë periudhë kohe jam marrë vetëm me studime dhe pas shkollës së mesme kam studiuar gazetari për katër vjet. Në vitin 2000 u largova nga Tirana dhe u bashkova me familjen time në SHBA.
Gjithmonë e kam pasur ëndërr të kthehesha edhe një herë te dashuria ime e parë e artit dramatik, e kjo u bë e mundur pas një udhëtimi pesëditësh në Los Angeles me Vilmen, motrën time. Vendosëm të shpërngulemi në Los Angeles në janar të vitit 2003, pastaj filluam të merremi me klasa aktrimi, seminare, shfaqje teatrale etj", ka pohuar ajo.
Çdo gjë është e vështirë, sipas saj dhe asgjë nuk bie nga qielli.
"Ne jetojmë në Los Angeles qe nëntë vjet dhe kjo është punë këmbëngulëse për vite e vite të tëra, duke marrë shumë herë përgjigje jo dhe jo derisa mësuam pak nga pak si bëhen gjërat dhe duke u kushtuar shumë vëmendje seminareve e klasave dhe njerëzve që njihnim në biznes që duan të japin këshilla pozitive. Duhet të jesh shumë pozitiv si person, sepse ka shumë njerëz negativë dhe xhelozë. Nuk duhet ti dëgjosh, por ta vazhdosh rrugën që ke zgjedhur", ka potencuar ajo
Dy motrat janë me fat që kanë krijuar kompaninë tonë filmike "Colored Films LLC".
"Si ide kjo na erdhi mua dhe Vilmes (motrës) pas një bisede me disa miq tanë. Thamë pse mos ta bëjmë një provë. Ne kemi një natyrë guximtare, nuk na frikësojnë shumë gjërat. E shikojmë çdo gjë si mundësi, edhe nëse diçka nuk del me sukses, të paktën kemi mësuar diçka", ka thënë Greta.
Deri tani dy motrat kanë realizuar dy filma me metrazh të gjatë. Filmin "What do I do now" (Çfarë do të bëjë unë tani), i cili e ka fituar çmimin si filmi më i mirë në New York Film Festival në vitin 2009 dhe filmin "In the Woods" (Në pyll), i cili ka fituar tre çmime: çmimin aktorja më e mirë në New York Independent Film and Video, çmimin filmi më i mirë në Detroit Windsor International Film festival, dhe medaljen Silver Ace Award në Las Vegas Film Festival.
"Projekti ynë i tretë quhet "Shqipe" dhe tematika e filmit është personazhi i Helenës, e cila ka një vajzë dhe është e divorcuar. Pas një situate mjaft kritike që i ndodh Helenës, ajo detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe shkon në Detroit Michigan. Pastaj vazhdon duke treguar përpjekjet e saj për të pasur një jetë normale, këtu në Amerikë. Kjo histori i takon vitit 1991, kur kanë filluar rrëmujat e para në Shqipëri. Ne jemi shumë krenare për këtë projekt sepse është një histori shqiptare-amerikane dhe do të kemi mundësi ta xhirojmë këtu në Shqipëri, po ashtu të punojmë me aktorë shqiptarë dhe në gjuhën shqipe. Shpresojmë të bëjmë më tepër projekte të tilla në të ardhmen sepse ne si shqiptarë kemi shumë histori të bukura për të treguar, sidomos ato të lashtësisë", ka theksuar ajo.
Ajo ka bërë të ditur se po bëhen gati të shkojnë në Durrës më 26 gusht, sepse filmi i tyre i dytë do të marrë pjesë në Durrës Film Festival. "Shfaqjen do ta kemi më 29 gusht në Teatrin Aleksandër Moisiu. Jemi shumë të gëzuara për këtë vizitë. Shpresoj të më dal koha këtë radhë e të shkoj për vizitë të shkurtër në Kosovë. Unë kam qenë në Kosovë më përpara, mirëpo Vilma nuk ka qenë asnjëherë. Mua më pëlqen shumë natyra e bukur e Kosovës dhe njerëzit janë shumë dashamirës dhe krahëhapur", ka theksuar Greta.