Monumenti që po cenohet nga zjarri
Prizren, 9 prill - Ndërtesa, që është aset i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të MKRS-së, si pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike, Zonja Ndihmëtare, të premten mbrëma është përfshirë përsëri nga zjarri në rrethana ende të pasqaruara nga organet e emergjencave dhe të sigurisë, që paraqet rastin e dytë të kësaj natyre brenda tre javësh në këtë monument.
Ky rast, sikurse edhe i mëparshmi, kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të hollësishëm nga organet e hetuesisë, pasi që ditë më parë edhe zyrtarët e Drejtorisë së Emergjencave të Komunës së Prizrenit, në paraqitjet e tyre mediale kishin ngritur dyshime se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri.
EC Ma Ndryshe javë më parë pat apeluar te institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete për të parandaluar përsëritjen e skenarëve të tillë.
Neni 13 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit që përkufizon Masat e mbrojtjes ndaj zjarrit apo fatkeqësive natyrore në paragrafin e parë obligon Komunën e Prizrenit që të hartojë planin për mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit kundër zjarrit, rreziqeve dhe fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera. Ndërsa paragrafi 2 i këtij neni thekson se Çdo lokacion, monument kulturor në pronë private apo publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit duhet të jetë i pajisur me aparat zjarrfikës, në pajtim me ligjet në fuqi si dhe me doracakun e masave mbrojtëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe të zjarrit. Në bazë të vëzhgimit të zhvillimeve rreth ndërtesës që është pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike, gjatë javëve të fundit, nuk është vërejtur asnjë masë mbrojtëse kundër zjarrit në këtë lokacion, ani pse ai njëherë ishte kapluar nga flakët. Kësisoj monumenti i trashëgimisë kulturore ishte lënë në mëshirë të piromanëve.
Në të njëjtën kohë dispozitat e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore parashohin që monumentet e mbrojtura të kalojnë në pronësi të institucionit kompetent nëse ka veprime të pamjaftueshme nga shfrytëzuesi për të mbrojtur kushtet dhe gjendjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Trashëgimia kulturore e mbrojtur mund të kalojë dhe vendoset në të drejta pronësore nën kontrollin dhe pushtetin e institucionit kompetent në pajtim me legjislacionin relevant ku ka rrezik të identifikuar të dëmtimit të qëllimshëm ose shkatërrimit të trashëgimisë kulturore ose ku është ndërmarrë veprim i pamjaftueshëm nga pronari, poseduesi ose shfrytëzuesi për të mbrojtur kushtet dhe gjendjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, shkruan në nenin 4.22 të LTK-së.
Duke i marrë për bazë ndodhitë e fundit në këtë monument të mbrojtur EC Ma Ndryshe kërkon nga organet e hetuesisë që ta zbardhin rastin në tërësi dhe që kryesit eventualë ti vënë para organeve të drejtësisë.
Në të njëjtën kohë i bënë thirrje autoriteteve shtetërore që për këtë monument në përputhje me dispozitat e LTK-së të iniciojnë kalimin dhe vendosjen në të drejta pronësore nën kontrollin dhe pushtetin e institucionit kompetent meqenëse shfrytëzuesi aktual ka ndërmarrë veprime të pamjaftueshme për ta mbrojtur atë.
Dhe në fund, EC Ma Ndryshe kërkon që Ministria e Kulturës të ndërmarrë intervenime emergjente në këtë ndërtesë, përkatësisht ta restaurojë atë në tërësi.