07 Janar 2025

MKRS shpërndanë 5 mijë kopje libra për bibliotekat e Kosovës

Prishtinë, 27 maj - Bibliotekat komunale të qyteteve të Kosovës kanë pasuruar fondin e tyre me tituj të rinj. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në një ceremoni rasti ka shpërndarë sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, më shumë se 5000 kopje librash për këto biblioteka, e ku hyjnë rreth 60 tituj

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ushtruesja e detyrës së Drejtorit i BKK-së, Ramize Bajraktari, anëtarët e Këshillit Drejtues të BKK-së si dhe drejtorët e bibliotekave komunale dhe botues.

Ministri Krasniqi theksoi është një ditë e shënuar për bibliotekat, botuesit dhe lexuesit sepse libri është shumë i rëndësishëm për të gjithë dhe se ka një domethënie të pazëvendësueshme, duke potencuar se MKRS-ja në vazhdimësi e ka rritur përkrahjen për librin.

“Më vjen mirë që ne si institucion në tri vitet e fundit e kemi rritur trefish përkrahjen për librin , ku këtë vit për tri konkurse kemi ndarë rreth 100 mijë euro. Përveç përkrahjes së botimit të librave dhe revistave, ne kemi filluar tash e dy vjet të blejmë tituj të rinj prej botuesve të Kosovës”, tha ministri.

“Kur e kemi bërë ligjin për bibliotekat kemi obliguar veten po ashtu, që një fond të caktuar të buxhetit ta ndajmë në përkrahje të bibliotekave komunale në pasurimin e fondeve librare dhe në ngritjen e kapaciteteve, përmes konkursit të projekteve kulturore”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu tha se përmes këtyre titujve të rinj është mbështetur edhe lexuesi duke pasur qasje të drejtpërdrejtë në këta libra që janë botuar së fundmi,nëpër bibliotekat në lokalitetet ku ata jetojnë.

Po ashtu, ministri përmendi se MKRS-ja ka mbështetur librin edhe në forma të tjera, përmes përkrahjes së panaireve të ndryshme të librit përbrenda Kosovës por edhe prezantimin e botuesve të Kosovës jashtë vendit.

“Ne duhet të pajtohemi se kemi sfida dhe duhet të punojmë edhe më shumë në të ardhmen, në mbështetje të mëtutjeshme për librin”.

Ndërkaq, u.d. e Drejtorit të BKK-së, Ramize Bajraktari, falënderoi MKRS-në që për dy vite me radhë e pasuron fondin e bibliotekave komunale me tituj të rinj. Ajo përmendi se bibliotekat e kanë momentin që përmes këtij fondi, titujve të rinj ta përfitojnë lexuesin.

E Teuta Demiri, drejtoreshë e Bibliotekës Komunale të Ferizajt, konsideroi se çdo herë kur dhurohen libra për bibliotekat është një ditë e veçantë ngase përmes këtij pasurimi lexuesi ofrohet më shumë me bibliotekën dhe u krijohen atyre më shumë mundësi.
 
Kurse në emër të botuesve të Kosovës, Xhemajl Avdyli, theksoi se ky aktivitet është një kontribut për përhapjen e kulturës dhe dijes, dhe konsideroi se përveç botimit të librave ne si shoqëri e kemi për detyrë që ato t’i servirim tek lexuesit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)