MKRS shpërblen Majlinda Kelmendin dhe Driton Kuka
Prishtinë, 14 maj - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi i ka ndarë sot edhe solemnshit shpërblimet për xhudisten Majlinda Kelmendi dhe trajnerin e saj Driton Kuka, për medaljen e bronztë të fituar në Kampionatin Evropian të Xhudos në Budapest.
Bazuar në Rregulloren për Shpërblimet për Sportistët kulminant, Majlinda Kelmendi ka marrë shpërblim prej 8 mijë eurove, ndërkaq Driton Kukës 4 mijë euro.
Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve u mbajt në MKRS e ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.
Në fjalën e tij, Ministri Krasniqi tha se ky moment shënon një fillim të ri për sportin, pasi për herë të parë në mënyrë zyrtare dhe shtetërore një sportist dhe një trajner marrin shpërblim për suksesin e arritur.
Ai ka thënë se me krijimin e bazës ligjore për shpërblime, mbështetje të përhershme dhe bursa për shpresat olimpike dhe paraolimpike, po rritet vullneti i sportistëve për punë dhe suksese më të mëdha.
Ministri ka përgëzuar Majlinda Kelmendin dhe Driton Kuken, për punën e madhe që kanë bërë në gjithë këto vjet, e që ka ndikuar shumë në hapjen e dyerve për sportin e Kosovës.
Dua që njerëzit, veçanërisht të rinjtë ta shohin Majlindën si një model e cila është lindur këtu, është rritur këtu, është trajnuar këtu, ka sakrifikuar këtu, këtu ka arritur këtë nivel që ka dhe këtu vepron, shkon në gjithë botën dhe kthehet prapë në Kosovë dhe Kosova përkujdeset për të, ka thënë ai.
Me këtë shpërblim të ndarë sot, Majlinda dhe Dritoni kanë siguruar edhe mbështetjen e përhershme, e cila përcaktohet në Rregulloren për Mbështetje të Përhershme për Sportistët Kulmor.
Është stimulim për faktin që na e verifikon atë që e dimë se krejt kjo punë po bëhet me të vërtetë për arsye. Dhe arsyet janë konkrete, evidente, janë sukseset e sportistëve tanë dhe unë konsideroj që tashmë pothuajse me këtë finalizim të kornizës ligjore dhe mbështetjes që pa dyshim është rritur dukshëm për sportin dhe sportistët e Kosovës, ne do të kemi mundësi me të vërtetë që jo vetëm formalisht por edhe konkretisht tu themi të rinjve tonë që të vazhdojnë me angazhimet e tyre sportive sepse shteti do të përkujdeset për ta.\"
\"Të gjithë ata që kanë talent, kanë cilësi dhe vazhdojnë rrugën e tyre sportive, nëse arrijnë suksese mund ta ndjekin shembullin e Majlindës, që të arrijnë sukses në nivelin kombëtar, ndërkombëtar, por edhe të kenë përkujdesjen meritore, ka thënë ai, teksa ka shtuar se është shumë e rëndësishme që shpërblimet dhe mbështetja më nuk janë vetëm shkas i vullnetit të një ministri, por janë bazë dhe obligim ligjor.
Në të kaluarën, pa dyshim që ne e kemi mbështetur Majlindën, dhe e kemi mbështetur me të drejtë dhe në mënyrë meritore, por ka qenë një mbështetje nga vullneti i mirë qoftë i imi si ministër, qoftë i ministrave paraprakë, qoftë i institucioneve të cilat i përfaqësojmë. Por, tash e tutje kjo më nuk varet nga vetëm nga vullneti ynë por varet nga suksesi i sportistëve dhe konsideroj që kjo është një ndryshim shumë i madh që kjo u krijon edhe një siguri shtesë sportistëve për të vazhduar punën e tyre, tha ministri Krasniqi, teksa ka shtuar se është evidente që ka mjaftë sfida para nesh, por ka shtuar se janë shënuar hapa të rëndësishëm si në organizim të brendshëm ashtu edhe në ndërkombëtarizim.
Ministri Krasniqi ka ftuar edhe komuniteti e biznesit në Kosovë, ashtu siç ndodh në shumë vende, që të rrisin përkrahjen për sportistët, pasi në këtë mënyrë ka thënë ai, zhvillimi është më i madh i sportit, por edhe ka rezultate të dyanshme.
Në javët në vazhdimësi, ministri tha se po punohet edhe në kompletimin e infrastrukturës tjetër ligjore, në veçanti atë për kategorizim të sportit, që është përgjegjësi e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Pa dyshim që ende ka hapësirë për përmirësime brenda federatave, edhe te Komiteti Olimpik, por ata do të jenë të inkurajuar gjithmonë nga ana e jonë për të vazhduar, sepse ndërkombëtarizimi me vete nuk sjell vetëm privilegje por edhe përgjegjësi.
Nga ana tjetër, xhudistja Majlinda Kelmendi tha se ndjehet shumë lumtur për shpërblimin.
Sigurisht që jam shumë e lumtur sot jo vetëm për shpërblimin por sot është një ditë historike për gjithë sportistët kosovarë. E ceku edhe ministri më herët, se asnjë sportist tashmë nuk do të jetë i varur prej dëshirës apo vullnetit të një ministri apo ndonjë institucioni të caktuar por të gjithë sportistët aty ku jam edhe unë do të varemi thjeshtë nga forcat tona, nga vetvetja apo na sukseset tona. Jam shumë e lumtur për shkak se e di sa ka punuar trajneri im bashkë me ministrin këto dy vitet e fundit. E di që nuk ka qenë aspak e lehtë kjo, ka thënë ajo.
E trajneri i saj Driton Kuka tha se ky sukses në Kampionatin Evropian dhe shpërblimi që po ndahet është një punë dhe meritë e gjithë njerëzve që për këto dy vjet kanë punuar shumë që sporti të ecë përpara.
Besoj që sot ka qenë një ditë e madhe për sportin, për sportistët, për trajnerët dhe për të gjithë ata që përkushtohen në sport sepse tash nuk do të varet nga njerëz të cilët me siguri që politika gjithmonë do ti ndërrojë por një ditë e madhe për vet ministrin sepse ky do të mbetet në histori si njeriu i parë i cili e ka promovuar sportin e Kosovës në mënyrën më të mirë dhe i cili e ka shty me shumë telashe e probleme.\"
\"Ne e dimë të gjithë që Kosova ka shumë probleme, e dimë që është një shtet shumë i ri, me shumë sfida edhe në këto rrethana që të arrihet të bëhet një ligj kaq i mirë për sportin unë me të vërtet jam shumë i kënaqur dhe pothuajse nuk po kam shumë tekst, por megjithatë jam shumë i gëzuar jo vetëm për këto shpërblime por kjo është edhe një udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme, ka thënë ai.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Beism Hasani tha se me sot, edhe po shihet që po rregullohet statusi i sportistëve në mënyrë shtetërore.
Ky po ashtu është një sinjal i mirë për të gjithë sportistët e Kosovës, trajnerët por edhe për prindërit të cilët të gjithë sakrifikojnë për të arritur deri tek një medalje.\"
\"Prapa një medalje pa dyshim se qëndron një punë e jashtëzakonshme e konkretisht në Federatën e Xhudos është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme.\"
\"Gjithashtu, dua të shpreh kënaqësinë që Qeveria me iniciativën e ministrit, rrumbullakësoi të gjitha këto rregullore për rregullimin e statusit të sportistëve dhe të trajnerit. Do të pasojnë edhe rregullore tjera për prioritetet në sport dhe për sportistë. Jemi në rrugë të mbarë dhe po besoj që kjo ka me qenë ajo kthesa, ai trendi që kosovarët të merren me sport sa më shumë që është e mundshme, tha ai.