23 Dhjetor 2024

MKRS ndanë çmimet në fushën e artit pamor

Prishtinë, 8 korrik - Sot, në një ceremoni solemne të organizuar në kabinetin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u bë ndarja e çmimeve në fushën e artit pamor.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” që u shoqërua me një certifikatë të nënshkruar nga Ministri, plaketë dhe një shpërblim në vlerën monetare prej 5000 eurove, iu nda prof. Agim Çavdarbashës – post mortum, ndërsa Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor që gjithashtu u shoqërua me një certifikatë të nënshkruar nga Ministri dhe një shpërblim në vlerën monetare prej 3000 eurove, iu nda profesorit Agim Salihu.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se është një ditë e veçantë për krijuesit tanë të kësaj fushe po edhe për Ministrinë që të jetë pranë edhe në kuptimin  e mirënjohjes dhe falënderimit përmes dhënies së çmimeve.

“Ishte jashtëzakonisht moment i mirë që juria ka vendosur për dhënien e këtyre çmimeve e veçanërisht që Çmimi për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” t’i jepet një figure shumë të  madhe të vendit tonë siç ka qenë profesor Agim Qavdarbasha dhe i jam shumë mirënjohës jurisë që ka vendosur drejtë dhe në mënyrën më profesionale për këtë figurë të çmuar. Po ashtu e uroj dhe përgëzoj edhe profesorin Agim Salihu për Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor”, u shpreh ministri Gashi.

Për vendimin e jurisë për t’i vlerësuar këto dy figura, ministri tha: “Ne vetëm kemi qenë mbështetës dhe kemi shprehur mundësinë që të vendosin profesionistët”.

“Jam këtu për të konfirmuar mbështetjen e Ministrisë për të gjithë artistët dhe krijuesit dhe jo vetëm përmes ndarjes së çmimeve por edhe përmes mbështetjes së projekteve të artit e të kulturës”, theksoi në fund ministri Gashi.

Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”, e mori bashkëshortja e të ndjerit Agim Çavdarbasha e cila në fjalën e saj falënderoi ministrin Gashi dhe jurinë për vlerësimin e bërë.

Ajo ndër të tjera tha: “Si përfaqësuese e fondacionit Agim Çavdarbasha dhe si bashkëshorte e Agimit e po ashtu bashkë me djemtë dhe familjen jemi të lumtur që e keni bërë vlerësimin më të lartë. Mendoj që deri tash e kemi prit dhe mendoj që ai nuk është një artist vetëm i Kosovës por edhe mbarë kombëtarë. Besoj edhe shpresoj që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe që në të ardhmen ato skulptura që gjenden në muze do të ruhen dhe do ta kenë kujdesin e gjithë njerëzve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore”.

Falënderues ndaj ministrit dhe jurisë u shpreh edhe fituesi i Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor, Agim Salihu, i cili tha: “Ky çmim për mua ka rëndësi të madhe se shteti po nderon artistin dhe kur shteti e nderon artistin atëherë ka një peshë më të madhe dhe artisti ka një presion më të madh për sakrificat që ka bërë edhe për mundin”.

Sipas jurisë vlerësuese në përbërje të Mehmet Behluli, Mirsad Lushtaku dhe Besnik Xhemaili, prof. Agim Çavdarbashës i ndahet postmortum Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” pasi që me aktivitetin e tij përveç që ka kontribuar në cilësinë e artit pamor ka prezantuar Kosovën edhe në Dokumentaa 14, që njëherësh është edhe një prej aktiviteteve më me peshë në skenën e artit botëror.

Ndërsa prof. Agim Salihut i ndahet Çmimi Vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor pasi që me aktivitetet e tij ka lënë gjurmë në artin pamor, ka prezantuar Kosovën edhe në disa aktivitete-bienale shumë të rëndësishme si në Kinë dhe Japoni. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)