MKRS ka në fokus rininë e vendit
Prishtinë, 3 nëntor - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, në krye me Erzen Hysenin.
Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e lumtur që i mirëpret në takim, meqenëse rinia është fokus i saj prej marrjes së mandatit.
Ministrja i informoi për ndryshimet që po bëhen në Ligjin për Rininë i cili do të parashohë ndryshime të shumta pozitive për të rinjtë e Kosovës. Vlen të përmendet ndryshimi i moshës nga 15-24 vjeç në 15-29 vjeç si dhe për njohjen e vullnetarizmit si përvojë punë.
Gjithashtu i njoftoi për mbështetjen financiare që u është bërë të rinjve përmes thirrjes publike ku MKRS ka ndarë 500.000 euro për ndërmarrësi, 100.000 mijë euro për integrim shoqëror, 120.000 euro për promovim dhe edukim shëndetësor dhe 100.000 euro për edukim jo-formal në fushën e rinisë.
Të njëjtat çështje ishin fokus i interesimit edhe nga ana e përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të cilët u shprehën shumë të lumtur që ka zhvillime për të mirën e të rinjve të Kosovës.
Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor e njoftuan për punën e tyre dhe angazhimin e vazhdueshëm brenda Universitetit të Prishtinës, ndonëse në periudhë pandemie.
Ndër të tjera shpalosën edhe dy ide për projekte për të cilat kërkuan ndihmën e MKRS-së.
Ministrja Dumoshi u shpreh e angazhuar dhe e determinuar të mbështesë secilën iniciativë që vjen nga të rinjtë dhe për të rinjtë.