MKRS-ja investon në Pejë 830 mijë euro
Prishtinë, 13 janar - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot tre Memorandum të Bashkëpunimi me Komunën e Pejës, me çka në këtë qytet për përmirësimin e infrastrukturës në sport dhe për ndërtimin e qendrës rinore do të investohen 830 mijë euro.
Sipas këtyre Memorandumeve, MKRS-ja investon 250 mijë euro për ndërtimin e Qendrës Rinore në Pejë, ndërsa 500 mijë euro në Stadiumin e qytetit Shahin Haxhiislami dhe 90 mijë euro për fushat e tenisit.
Ministri Kujtim Shala dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri i vlerësuan lartë këto projekte, të cilat ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes në sportin e Pejës dhe po ashtu krijojnë kushte më të volitshme për zhvillimin e mëtejmë të sportit në këtë qytet.
Po ashtu, ministri Shala dhe kryetari Muhaxheri u shprehën se ndërtim i Qendrës Rinore, është një prej projekteve me rëndësi në fushën e rinisë, meçka për rininë në këtë qytet do të krijohen hapësira dhe kushte më të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
Me këtë rast ministri Shala u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me komunat e Kosovës dhe ti ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, në mënyrë që të krijohen kushte më të volitshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të këtyre fushave me rëndësi për Kosovën.
Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e frytshëm dhe u shpreh se me këto projekte Peja përfiton shumë në fushat përkatëse.