MKRS i dhuron Sislej Xhafës simbolin e “Hyjneshës në Fron”
Prishtinë, 12 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim në kabinetin e tij, artistin e njohur Sislej Xhafa.
Në këtë takim, ministri Gashi shprehu mirënjohje për Xhafën dhe tha: “Jam i nderuar që sot pres në takim artistin e njohur Sislej Xhafa.
Duke marrë pjesë në ekspozita dhe bienale të ndryshme ndërkombëtare, Xhafa e vendosi Kosovën në hartën ndërkombëtare të artit bashkëkohorë”.
Gjatë këtij takimi përveç tjerash u bisedua edhe rreth artit dhe arkitekturës së vendit tonë dhe rreth artistëve të vendit të cilët me punën e tyre kanë arritur suksese edhe jashtë vendit.
Ministri Gashi, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për punën dhe aktivitetin e tij, gjatë këtij takimi i dhuroi Sislej Xhafës simbolin e “Hyjneshës në Fron”.
Ndërkaq, artisti Xhafa tha se ndihet i lumtur që ndodhet këtu. Ai falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe theksoi se është i gatshëm që të bashkëpunojë edhe në të ardhmen.