MKRS, e gatshme për bashkëpunime regjionale kulturore
Prishtinë, 22 tetor - Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti ka pritur sot në takim përfaqësues të organizatës për kulturë ArtAngle dhe Ambasadës së Zvicrës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Së bashku, ata kanë biseduar rreth një projekti kulturor për Ballkanin Perëndimor, i cili është mundësuar nga Organizata ArtAngle, Qeveria e Zvicrës dhe Fondacioni Kulturor Evropian, të cilët i kanë bashkuar burimet e tyre në Ballkans Arts and Culture Fund, me besimin e përbashkët që kultura dhe artet bëjnë ndryshimin në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.
Zëvendësministri Hoti i njoftoi mysafiret rreth aktiviteteve, veprimtarisë dhe prioriteteve të MKRS-së, sidomos në fushën e kulturës.
Hoti shprehu gatishmërinë e MKRS-së për të bashkëpunuar në dhënien e mbështetjes, veçmas për aktivitetet e artistëve, krahas nismave dhe projekteve tjera kulturore. Ai tha se MKRS është e gatshme të bashkëpunojë edhe në nisma të këtilla si projekti për zhvillimin kulturor të Ballkanit.
Sanela Ademovic nga Zyra e Ambasadës zvicerane në Bosnjë dhe Hercegovinë dha informacione rreth projektit që po gëzon mbështetje edhe nga Qeveria zvicerane nëpërmjet granteve për kulturë, i cili sipas saj synon të përkrahë mbi të gjitha skenën e pavarur kulturore.
Ndërkaq, Petra Bischof, përfaqësuese nga organizata kulturore ArtAngle tha se qëllimi i projektit është mbështetja e artistëve dhe kulturës së pavarur.
Bischof u shpreh e lumtur për gatishmërinë e MKRS-së për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontribut të përbashkët për jetën kulturore.
Ajo tregoi rreth një organizimi që do ta kenë nesër në Prishtinë ku do prezantojnë punën dhe perspektivat e ardhshme të projektit dhe do të shpallen projektet rajonale të cilat janë aprovuar.
Bischof tha se deri më tani kanë realizuar katër projekte regjionale ndërkaq aktualisht janë duke i implementuar edhe 15 projekte të tjera.