MKRS dhe Fakultetit Filozofik bashkëpunojnë për trashëgimi kulturore
Prishtinë, 2 dhjetor - Sot u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Fakultetit të Filozofisë për ofrimin e trajnimeve dhe punës prakitke për studentët e këtij fakulteti, konkretisht atyre të Antropologjisë dhe Historisë.
Qëllimi i këtij memorandumi është krijimi i kushteve për ngritje të kapaciteteve, cilësisë dhe aftësive profesionale praktike të studentëve nëpërmjet bashkëpunimit të dy institucioneve në fusha të ndryshme të trashëgimisë kulturore, trajnimeve profesionale, ekspertizave, zhvillimit të projekteve, si dhe shkëmbimit të eksperiencave.
Në emër të MKRS-së, nënshkrimin e këtij memorandumi e ka bërë Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, ndërsa në cilësinë e përfaqësuesit të Fakultetit të Filozofisë, memorandumin e ka nënshkruar prof. dr. Muhamet Qerimi, prodekan.
Sekretari Firzi nënshkrimin e memorandumit me Fakultetin e Filozofisë e cilësoi një vazhdimësi me institucionet që kontribuojnë në të mirë të trashëgimisë kulturore dhe kjo i shërben ngritjes së kapaciteteve të Kosovës në fushën e trashëgimisë.
Ndërsa prof. Qerimi e vlerësoi këtë akt si një mundësi të re për studentët e Fakultetit të Filozofisë që ata të marrin përvojat praktike në fushat përkatëse që u interesojnë atyre.
Të dy palët u zotuan se bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej, tërësisht në shërbim të ngritjes dhe avancimit të kapaciteteve në fushën e trashëgimisë kulturore të Kosovës.