MKRS blen 4480 kopje librash për bibliotekat komunale
Prishtinë, 16 korrik - Këtë vit, për herë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka blerë libra të botuar në dy vitet e fundit nga botuesit kosovarë.
Në konkursin e shpallur muaj më parë nga Këshilli i Librit, është aplikuar po ashtu për herë të parë edhe mbështetja për botimin e revistave letrare e po ashtu edhe konkursi i parvjetshëm për botimin e titujve të rinj.
Në të tri këto konkurse, përkrahja financiare që jep Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është 70 mijë euro.
Në konkursin për blerje të librave, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka nënshkruar rekomandimet e Këshillit të Librit për blerjen e 56 titujve të librave. Për secilin titull do të blihen nga 80 kopje.
Në total numri i librave të blerë është 4480, e të cilat do tiu shpërndahen bibliotekave komunale dhe institucioneve të tjera sociale. Mbështetja financiare për këtë kap shumën 19 mijë e 600 euro.
Krahas kësaj, bazuar në Ligjin për Bibliotekat, të miratuar vitin e kaluar, MKRS këtë vit ka ndarë mjete për pasurimin fondit të librave edhe për bibliotekat komunale.
Në këtë rast, duke u bazuar në ligj, në konkursin vjetor për projekte kulturore, MKRS ka ndarë mbi 30 mijë euro për pasurimin e fondit të librave për bibliotekat komunale të Mitrovicës, Malishevës, Pejës, Kamenicës, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Skenderajt, Junikut, Orllanit si dhe Bibliotekës së të verbërve \"Syri Ynë\"në Prishtinë.
Sa i përket revistave letrare, një formë e re e përkrahjes që aplikon MKRS-ja, Ministri Krasniqi ka nënshkruar rekomandimet e Këshillit të Librit për tu përkrahur botimi i katër revistave letrare.
Ato janë: Sharri e nxjerrë nga Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, KOSOVA IMZA, e nxjerrë nga Shoqata e shkrimtareve turk të Kosovës, revista Bashkimi e nxjerrë nga shoqata Erdi, si dhe Revista JETA E RE që botohet nga Rilindja. Mbështetja totale për këto revista shkon në 25 mijë e 130 euro.
E në konkursin për botimin e librave të rinj, MKRS sivjet mbështetë botimin e 18 tituj të librave të rinj, nga shtëpi të ndryshme botuese. Përkrahja financiare për botimin e librave të rinj është 25 mijë e 270 euro.