Mirlinda Meta - Tafa është shpallur Kreatorja e vitit
Ngjarja më të madhe garuese e modës në vend, Kreatori më i mirë shqiptarë 2014, është zhvilluar nën një frymë të fortë garuese. Kreatorë të rijnë dhe ata me eksperiencë janë përballur në një pistë brilante, në prezencën e personaliteteve të rëndësishme të modës e veçanërisht nën vëzhgimin e vëmendshëm të jurisë profesionale.
Në moderimin e shkëlqyer të moderatorit të njohur Naim Abazi, në pistën e spektaklit Kreatori më i Mirë Shqiptarë, fillimisht zbriten kreacionet e stilistit nga Shkupi, Mensur Alimi, për të vazhduar pastaj me kreacionet e stilistes Gonxhe Duraku, kreacionet e Mirlinda Meta-Tafa dhe dy garuesët tjerë, Shtëpia e modës Er-Rosi me kreatore Ibadete Sermaxhaj dhe dizajnerja nga Shkodra, Holta Ramadani.
Kreatorët, pasi prezantuan nga pesë veshje solemne dhe nga një vello, derisa juria merrte vendimin, të pranishmit kishin mundësinë të shoqëroheshin me zërin e bukur të këngëtarëve të njohur Hekuran Krasniqi dhe Merije Braha.
Kreatori më i mirë shqiptarë, për tetë vite me radhë është bërë arena e përballjeve të forta të ideve, stileve e punimeve kreative, të stilistëve nga mbarë trojet shqiptare.
Në fund të këtij spektakli Producenti i GFG, Ilir Geci, u shpreh i tejet i kënaqur me realizimin e këtij eventi të modës, duke theksuar se qëllimi kryesorë i Kreatorit më të mirë, ka qenë që të nxis stilistët të zhvillojnë imagjinatën e tyre për të na sjellë punime te reja që janë në hap me trendët botërore të modës.
Fituesja e këtij spektakli, znj. Mirlinda Meta-Tafa, nga Prishtina, e entuziazmuar me këtë çmim, tha se kishte punuar gjatë për kreacionet që prezantoj në këtë spektakël. Unë jam e re në botën e modës dhe jam duke zhvilluar në vazhdimësi njohuritë e mija për modën e trendët e saj.
Por pavarësisht kësaj është kënaqësi e madhe, kur puna jote e gjatë dhe përkushtimi yt, shpërblehet në një eveniment të madh siç është Kreatori më i mirë shqiptarë tha znj. Meta-Tafa, duke shtuar se frymëzim i saj për këto kreacione ishin vitet 60 pasi moda, në një formë përsëritet vazhdimisht.
Fituese e çmimit Vello më e mirë ishte Holta Ramadani nga Shkodra e cila u shpreh se për herë të parë mori pjesë në një garë transparente dhe të fortë, ndërkaq vendi i dytë i Kreatorit më të mirë shqiptarë i takoj Shtëpisë së Modës, Er-Rosi, me kreatore Ibadete Sermaxhaj e cila kishte bërë një punë të shkëlqyer dhe origjinale.
Mysafir special të këtij evenimenti ishin edhe fitueset e edicionit të kaluar të Kreatorit më të mirë shqiptarë, Vlora&Kaltrina dhe vendi i dytë i vitit 2013, Hava Shabani-Hashani. Ndërkaq jashtë konkurrencës në cilësinë e mysafiret u prezantua Salloni i nusërisë, Tina, me veshje tradicionale dhe dallame.