Miratohet Strategjia Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit
Prishtinë, 21 qershor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit 2019-2023.
Me këtë rast ministri Gashi u shpreh se Strategjia Kombëtare ofron një plan qartë e të detajuar përmes të cilit të gjitha palët e interesit mund të punojnë së bashku për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta si dhe të inkurajojnë kreativitetin, për një kulturë më të pasur dhe ekonomi më të zhvilluar.
“Për të arritur përmbushjen e objektivave të Strategjisë, është paraparë që në pesë vitet e ardhshme të ndërmerren veprime të vazhdueshme të cilat kanë të bëjnë me avancimin e kornizës legjislative, nxjerrjen e ligjeve dhe akteve nënligjore me qëllim të adresimit të çështjeve si dhe harmonizimin e plotë me legjislacionin e BE-së, forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse dhe një sërë aktivitetesh tjera”, tha ministri Gashi.
Ai theksoi se qëllimi i aktiviteteve të lartpërmendura është ngritja e nivelit të vetëdijes për fushën e të drejtave të autorit, nxitja e krijimtarisë kreative, ulja e nivelit të piraterisë dhe përforcimi i sistemit të të drejtave të autorit.
“Misioni i Strategjisë është zhvillimi i një sistemi Kombëtar për të Drejtën e Autorit që inkurajon krijimtarinë intelektuale duke rezultuar në zhvillim ekonomik, social dhe kulturor të Kosovës” u shpreh ministri Gashi duke i siguruar autorët dhe krijuesit që Strategjia e miratuar do të sjellë zbatim më efektiv të të drejtave të tyre.
Ai në fund u bëri thirrje të gjitha palëve të punojnë së bashku që e drejta e autorit të mbrohet e respektohet.