Miratohet Projektligji për Kinematografinë
Prishtinë, 27 dhjetor - Qeveria e Kosovës ka miratuar sot në mbledhjen e saj, Projektligjin për Kinematografinë. Me këtë Projektligj përcaktohen bazat dhe parimet e zhvillimit të kinematografisë si formë e të shprehurit artistik, duke u udhëhequr nga parimi i mbrojtjes së të drejtave të shprehjes së lirë, mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të publikut si dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale në sektorin kinematografik.
Po ashtu trajtohen të gjitha aspektet e veprimtarisë kinematografike, respektivisht organizimi, financimi, prodhimi, distribuimi dhe shfaqja e veprave kinematografike, bashkëpunimi ndërkombëtar, inkurajimi dhe promovimi i krijimtarisë kinematografike si dhe mbrojtja e trashëgimisë kinematografike kosovare.
Në ekspozenë e tij para kabinetit qeveritar, Zëvendësministri i MKRS-së, Hajdin Abazi tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të krijojë dhe zhvillojë politika të qëndrueshme në funksion të përmbushjes së objektivave ligjore, që njëkohësisht janë edhe objektiva të Ministrisë.
Ai tha se ky projektligj përmban në masë të konsiderueshme praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE-së, këtë e argumentojmë edhe me Opinionin Ligjor të përputhshmërisë me Legjislacioni e BE-së.
Abazi shtoi se dispozitat e këtij Projektligji janë të ndërlidhura më objektivat dhe prioritetet e Qeverise për zhvillimin e kulturës, respektivisht subvencionimin e filmit si dhe objektivat e mbrojtjes dhe të ruajtjes se trashëgimisë kulturore, që lidhet më mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë filmike që hynë në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore të Kosovës.
Projektligji krijon kosto financiare për vitet 2014-2016 në shumën prej 2.855,906 euro, të cilën masë monetare MKRS e ka planifikuar me Kornizën Buxhetore 2014/2016.
Sipas Departamentit të Buxhetit kjo kosto e paraqitur në vlerësim është e përballueshme dhe nuk pritet të ketë pengesa gjatë zbatimit.