“Miqtë e Fëmijëve” me mesazhe sensibilizuese
Prishtinë, 5 korrik - Pas miratimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, personalitete pjesë e platformës avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve”, dolën me mesazhe sensibilizuese me qëllim zbatimin e ligjit.
Rona Nishliu u shpreh jashtëzakonisht e lumtur që Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve u aprovua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Si anëtare e platformës “Miqtë e Fëmijëve”, mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna e kam pasur brengë dhe e kam adresuar në vazhdimësi, duke kërkuar mbrojtje të fëmijëve nga të gjitha format e dhunës dhe abuzimit.
Qëllimi kryesor i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve është mbrojtja e fëmijës nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit, si dhe nga çdo dukuri tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.
Nga ana tjetër, ky ligj i vendos qartë përgjegjësitë e prindërve, familjes, shoqërisë dhe shtetit për kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës.
“I bëj thirrje të gjithëve të mobilizohemi për zbatimin e Ligjit me qëllim mbrojtjen e fëmijëve.”
Eshref Durmishi aktor dhe producent, deklaroi se “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve siguron të drejtën e fëmijës me aftësi të kufizuara për të përfituar nga shërbimet shëndetësore, sociale, edukative, si dhe çdo shërbim tjetër, sipas nevojave.
Sipas këtij ligji, institucionet eliminojnë të gjitha barierrat infrastrukturore, sociale, mjedisore, institucionale dhe ligjore në fushat e arsimit, punësimit dhe arsimit profesional, kujdesit shëndetësor, rehabilitimit, aktiviteteve kulturore, argëtuese dhe sportive që fëmijët me aftësi të kufizuara të ushtrojnë të drejtat e parashikuara në këtë ligj.”
Shpat Deda u shpreh se aprovimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kuvendin e Kosovës është hap shumë i rëndësishëm për rregullimin kornizës ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë.
Deda u shpreh se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ndalon përfshirjen e fëmijëve në aktivitete që dëmtojnë sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psikofizik të tyre.
Ndër të tjera, ky ligj siguron që fëmijëve të përfshirë në punë të rënda tu ofrohet ndihmë mjekësore dhe psikologjike, masa rehabilituese dhe riintegruese.
Si anëtar i Platformës KOMF "Miqtë e Fëmijëve", ju bëj thirrje të bëhemi bashkë për zbatimin e këtij ligji dhe për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve!”
“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar rritjen e vetëdijësimit të institucioneve relevante dhe popullatës së gjerë, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë.