Ministrja Dumoshi viziton Muzeun me të rinj të komuniteteve të ndryshme
Prishtinë, 18 shtator - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur sot në takim një grup të rinjsh nga komunitete të ndryshme të Kosovës.
Ministrja gjatë këtij takimi tha se është kënaqësi kur organizatat rinore kërkojnë takime për të shprehur idetë dhe kërkesat e tyre sepse kjo ua mundëson asaj dhe ministrisë t’i realizojnë politikat rinore.
Në këtë kohë pandemie keni bërë një punë të shkëlqyer përmes aktiviteteve të ndryshme. Duke pasur parasysh që ne si ministri e kemi prioritet rininë ju jeni të mirëseardhur çdo herë për të shprehur idetë dhe kërkesat e juaj. Përmes projekteve kemi paraparë t’i certifikojmë 400 të rinj si ndërmarrës, tha ministrja Dumoshi.
“Ne kemi paraparë 400 të rinj të certifikojmë si ndërmarrës të rinj. Kjo rrjedhimisht reflekton në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Për mua ka qenë kënaqësi që në Ranilluk u dhanë certifikimet e para për të rinjtë e komitetit serb dhe kjo do të vazhdohet edhe më tutje me certifikimet që do tu bëhen të rinjve të etnive të ndryshme”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Ndërkaq, Egzona Shala, drejtoreshë e EKOS-it, falënderoi ministren Dumoshi për përkrahjen në emër të të rinjve pjesëmarrës.
“Këta të rinj kanë shprehur vullnetin të vijnë e të krijojnë një komunikim të ndërsjellë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, tha ajo.
Pas këtij takimi ministrja së bashku më të rinjtë vizituan Muzeun e Kosovës ku u priten nga drejtori i muzeut Ajet Leci.
Ministrja Dumoshi u tha të rinjve se ky është një rasti mirë që të njoftohen me Muzeun e Kosovës, duke inkurajuar të rinjtë që të mësojnë më shumë për trashëgiminë e Kosovës.
“Kjo është një mundësi e mirë të njiheni me trashëgiminë tonë kombëtare. Vetë ndërtesa ka domethënie të madhe. Është një objekt i vjetër që është ruajtur e mirëmbajtur dhe ku gjenden eksponate të cilat janë gjetur ndër vite. Toka dhe trashëgimia e Kosovës është shumë e pasur. Për këtë do të bindeni edhe vet dhe të çuditeni me gjetjet që janë bërë. Shpresoj shumë që kjo vizitë t’ju shërbejë si njohje me historikun e Kosovës dhe me traditën e lashtë të vendit” tha ministrja Dumoshi.
Ministrja Dumoshi theksoi që është shumë e nevojshme që të rinjtë e Kosovës të mësojnë më shumë për trashëgiminë tonë kulturore dhe për historinë e përbashkët të vendit të cilit i përkasin.