Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pjesë e Bienales së Artit 2019
Prishtinë, 29 mars - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në konferencën e parë zyrtare për medie me rastin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në Bienalen e Artit 2019 në Venedik. Në këtë konferencë u prezantua projekti i cili do ta përfaqësojë Kosovën në ekspozitën e 58-të të Bienales së Venedikut.
Ministri, Kujtim Gashi, u shpreh i lumtur me përzgjedhjen e Alban Mujës si një artist të dëshmuar brenda dhe jashtë vendit me projektet e tij. Ai po ashtu bëri të ditur se “pavioni i Kosovës në vitin 2019 ka si komisionere Arta Aganin, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës e cila bashkë me artistin Muja kanë bërë përzgjedhjen e kuratorit Vincent Honoré, që po ashtu ka një përvojë të dëshmuar si dhe të asistentes që do ta ndihmojë këtë organizim, Anya Harrison”.
Ai tha se“ky eveniment rangohet si njëri prej organizimeve më të mëdha kulturore botërire dhe jam shumë i lumtur që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është rikthyer në këtë eveniment në dy vitet e fundit dhe tashmë jemi pjesë e kësaj ngjarjeje”.
“Artistët tanë po e promovojnë shtetin tonë më së miri dhe janë pikërisht artistët ata të cilët po e bëjnë punën edhe të sektorëve tjerë të cilët janë kompetent për promovimin e shtetit, siç janë ambasadat dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe jam shumë i lumtur që tashmë e kemi targetuar një sektor siç është kultura dhe një komunitet siç janë artistët, ata të cilët po e përfaqësojnë Kosovën gjithandej botës”, tha po ashtu ministri Gashi.
Ministri Gashi theksoi se prezenca e tij në këtë konferencë është për ta konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Ministrisë dhe të Qeverisë së Kosovës për këtë ngjarje. Po ashtu, duke përmendur vizitën e drejtorit të Bienales në pavijonin e Kosovës vitin e kaluar si shumë të rëndësishme, ministri Gashi tha se ndihet i lumtur që Kosova në mesin e vendeve që janë pjesë e Bienales është shtet shumë i respektuar.
“Besoj që Kosova, ashtu sikurse vitin e kaluar, do të jetë njëri prej pavijoneve më të vizituara duke pasur parasysh edhe temën që artisti e ka përzgjedhur, një temë shumë interesante që pasqyron përjetimet e tij personale dhe ato kolektive të popullit të Kosovës gjatë luftës në Kosovë”.
Ndërkaq artisti, Alban Muja, fillimisht përshëndeti ministrin Gashi për përkrahjen e këtij projekti dhe komisioneren Agani për bashkëpunim e po ashtu edhe kuratorët që siç tha ai kanë ndihmuar në zhvillimin e projektit në një dimension tjetër.
“Bienalja e Venedikut është një prej evenimenteve më të rëndësishme të artit në përgjithësi dhe nominimi na ka bërë të ndihemi jo vetëm krenar por edhe përgjegjës. Me të gjithë ekipin po mundohemi të bëjmë një punë për përfaqësim të vendit sa më dinjitoz”, tha Muja.
Artisti Muja gjithashtu foli edhe për përzgjedhjen e temës duke thënë: “Kemi besuar që ana humane e atyre ngjarjeve që kanë ndodh duhet me u tregu dhe me u nda me një audiencë shumë të madhe siç është ajo e Bienales së Venedikut, andaj kemi vendosur që në një far mënyre me u tregu ngjarjet e para 20 viteve nëpërmes një projekti multimedial, pa dashur të hyjmë në anën politike”.
“Pavijoni do të jetë në Arsenale, që është njëra prej dy hapësirave më të rëndësishme të prezantimit të pavijoneve shtetërore dhe prezantimi jonë do të jetë me video instalacion dhe quhet Albumi Familjar. Projekti është i ndarë në tri video kanale që tregon tri histori personale të katër karaktereve që kanë përjetuar luftën, që në një farë mënyre kanë qenë tri imazhe të njohura të vitit 1999 të fotoreporterëve të botës të asaj kohe që kanë punuar dhe vepruar në Kosovë. Janë tre filma të ndarë në minutazhë të ndryshme”, shpjegoi në fund Muja.