Ministri Shala vizitoj Ferizajn
Prishtinë, 24 korrik - Prishtinë, 24 korrik - Në vazhdën e vizitave nëpër komunat e Kosovës e të cilat për qëllim kanë inspektimin e investimeve të MKRS-së, dhe po ashtu bëhen me qëllim të identifikimit për së afërmi me prioritet politikave në fushën e kulturës, sportit e rinisë, sot ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, qëndroi për një vizitë zyrtare në qytetin e Ferizajt, ku u prit nga kryetari i komunës, Muharrem Sfarqa.
Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Sfarqa u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe komunës, sidomos në fushat që lidhen me institucionet e kulturës, fushën e sportit, si dhe politikat e rinisë.
Kryetari Sfarqa e vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me MKRS-në dhe e falënderoi ministrin Shala për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që po i jep komunës së Ferizajt.
Kryetari Sfarqa e informoi ministrin Shala me prioritet e kësaj komune në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit për vitet e ardhshme.
Ministri Shala dhe kryetari Sfarqa këto takime i vlerësuan tejet të rëndësishme për tu njohur më për së afërmi me problemet të cilat lidhen me institucionet e kulturës, sportin, si dhe politikat e rinisë, për të cilat fusha kërkohet bashkëveprim dhe bashkëpunim ndërmjet MRKS-së dhe komunës.
Pas vizitës në komunë, ministri Shala i shoqëruar nga kryetari Sfarqa vizitoi edhe bibliotekën e qytetit, ku u informua me zhvillimin e sektorit të bibliotekarisë në këtë qytet.
Ministri Shala premtoi mbështetje për librin dhe bibliotekat. Ai u shpreh se MKRS-ja do të ndihmojë në përmirësimin e infrastrukturës së bibliotekave të Kosovës, dhe pasurimin e vazhdueshëm të tyre me libra të rinj, në mënyrë që lexuesit të ketë mundësi dhe kushte sa më të mira për lexim.
Po ashtu, në kuadër të kësaj vizite në Ferizaj, ministri Shala vizitoi edhe punimet që po bëhen në stadiumin e qytetit, në të cilin investitor është Komisioni Evropës, dhe u shpreh se MKRS-ja do të bashkëpunojë ngushtë me komunën e Ferizajt, që të kompletohet sa më parë infrastruktura sportive e këtij qytet.
Ministri Shala gjatë inspektimit të punimeve në këtë stadium shtoi se është duke bashkëpunuar me komunën e Ferizajt, dhe së bashku janë në përfundim të disa projekteve të rëndësishme, të cilat do të realizohen për qytetarët e Ferizajt në vitet e ardhshme.