Ministri Shala priti regjisorin Visar Morina
Prishtinë, 20 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti sot në një takim Visar Morinën, regjisor i filmit Babai të shoqëruar nga drejtori i QKK-së, Arben Zharku, producenti, Visar Krusha, aktorët Val Maloku, Astrit Kabashi dhe Adriana Matoshi.
Ministri Shala përgëzoi regjisorin, producentin dhe aktorët për sukseset e arritura, dhe theksoi se triumfi i filmit Babai në njërin nga festivalet më të mëdha në botë është një ngjarje me rëndësi për kinematografinë e Kosovës.
Po ashtu, ministri Shala u zotua se MKRS-ja do të punojë që në të ardhmen të rritet buxheti për filmin. Ai tha se me strategjinë e re për kulturën, do të krijohen lehtësira për zhvillimin më të gjithanshëm dhe më të qëndrueshëm të artit dhe kulturës në Kosovë.
Regjisori Visar Morina e falënderoi ministrin Shala për pritjen dhe mbështetjen. Ai po ashtu, tha se ky film dhe suksesi i tij, vjen pas mbështetjes që mori nga Kosova. Me fondet e siguruara nga Kosova, kemi arritur të gjejmë edhe fonde të tjera.
Filmi Babai me skenar dhe regji nga Visar Morina në edicionin e 50-të të festivalit ndërkombëtar të filmit Karlovy Vary triumfoi me 2 çmime. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Karlovy Vary, ky film fitoi çmimin për regjinë më të mirë si dhe çmimin Europa Cinemas Label që ndahet nga Europa Cinemas Network.
Po ashtu, me dy premiera brenda një jave, atë gjermane dhe botërore, Babai ka fituar 6 çmime dhe ky është një sukses për Kosovën.
Filmi Babai është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE, dhe është prodhim i NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë.
Premiera e filmit Babai do të shfaqet në Kosovë në fillim të shtatorit.