Ministri Gashi: Viti 2019 do jetë vit i ndryshimit të madh për rininë e Kosovës
Prishtinë, 24 shtator - Rreth 250 të rinj sot, në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u pajisën me certifikata për trajnimet në kuadër të shkathtësive të buta duke zhvilluar shkathtësitë e tyre përmes edukimit joformal.
Të rinjtë nga shtatë regjionet e Kosovës, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovës, për tre muaj janë trajnuar për zhvillimin e shkathtësive për të aplikuar për punë, si shkrimi i CV-së, letrës motivuese, hulumtimi i konkurseve të punës, për të komunikuar, prezantimi në intervista pune, komunikim i shkruar, komunikimi verbal, shkathtësitë e Mendimit Kritik, Shkathtësitë e Zgjidhjes së Problemit dhe Kreativitetit.
Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, tha se kjo ceremoni konfirmon përkushtimin e MKRS-së për përkrahjen dhe fuqizimin e rinisë në Kosovë.
“Jemi vënë bashkërisht në shërbim të komunitetit rinor për ta fuqizuar dhe nxitur pjesëmarrjen e tij në proceset vendimmarrëse dhe për të mbështetur edukimin e tyre të mëtejmë duke ndikuar kësisoj edhe në rritjen e punësimit të tyre”, u shpreh ministri Gashi.
“Kosova ka një proporcion të madh të të rinjve dhe të rejave, që kanë potencial për zhvillim. Prandaj, investimi në rini, në ngritjen e kapaciteteve të tyre paraqesin disa nga prioritetet kryesore të MKRS-së. Ky investim në rininë tonë është një investim i mirëfilltë që do të ndikojë në mënyrë direkte apo indirekte në punësimin e tyre”, tha ministri duke shpjeguar se ky trajnim ka përfshirë të rinj nga shtatë regjionet e Kosovës.
Ministri tregoi edhe qëllimin e këtij trajnimi i cili ka pasur synim ngritjen e shkathtësive jetësore për t’i përgatitur të rinjtë për tregun e punës.
“Përmes këtyre trajnimeve e moduleve, u është dhënë mundësia e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës nga të gjitha komunitetet që jetojnë në vendin tonë si shqiptar, serbë, romë, ashkali, egjiptas, turq etj., si dhe kemi prekur të gjitha grupet e margjinalizuara, femrat e reja në zonat rurale dhe personat me nevoja të veçanta”, u shpreh ministri Gashi duke u zotuar se personalisht dhe stafi i tij do të jenë në shërbim të të gjithë të rinjve për të siguruar një perspektivë dhe një jetë më me dinjitet për të rinjtë e Republikës së Kosovës.
"Do ta kemi një fond rinor për herë të parë në Kosovë. Nuk do lejojmë që të rinjtë tanë të largohen nga Kosova. E di që është problem i madh por bashkë mund t'ia dalim. Konfirmoj para jush se si ministër por edhe departamenti dhe gjithë kabineti do jenë në shërbim të tyre. Viti 2019 do jetë vit i ndryshimit të madh për rininë e Kosovës", theksoi në fund ministri Gashi.
Xhevat Bajrami, drejtor i Rinisë në departamentin e MKRS, tha se ashtu si Qeveria edhe MKRS ofron programe të ndryshme për të rritur punësimin e të rinjve. "Ne kemi ofruar programe e trajnime për t’iu dhënë një shans për tregun e punës. Dua të ritheksoj se për ne si departament mbetet prioritet të kemi një rini të shëndoshë".
Ndërkaq, Besnik Krasniqi, përfaqësues i organizatës, tha se edhe sektori privat kërkon këto shkathtësi. "Ne që kemi qenë direkt në këtë pumë është kënaqësi të punojmë me të rinjtë që kanë një entuziazëm të madh për të zhvilluar karrierën e tyre".
Ndërsa në fund u bë ndarja e certifikatave për trajnimin për shkathtësitë e buta.