Michelle Branch rikthehet tek muzika pop
Los Angelos, 26 shtator - Me fitimin e çmimit Grammy për këngën The Game of Love e kënduar me Carlos Santanën dhe me tre këngë të tjera në 20 vendet e para në klasifikime, Michelle Branch i ka treguar vlerat e saj.
Suksesi nuk e ndaloi atë të kalonte në botën e muzikës country duke krijuar grupin The Wreckers së bashku me Jessica Harp.
Së fundmi Michelle u rikthye tek muzika pop me të cilën filloi, por vazhdon të jetë e frymëzuar nga përvoja në muzikën country për të cilën ka shkruar këngën West Coast Time në albumin e fundit me të njëjtin titull. Ajo thotë:
Unë isha në grupin The Wreckers për një periudhë kohe dhe u vendosa në Nashville. Kjo këngë flet për kohën që kalova atje si dhe për faktin që ndjehesha pak ndryshe, pasi të gjithë ishin të rritur në jug ndërsa unë isha rritur në bregun perëndimor, e ndikuar pak nga rryma country por më tepër nën rrymën rock and roll.
Michelle mori famë si një këngëtare pop me dy albumet e saj të parë prandaj lind pyetja përse realizoi një album country? :
Vënia në jetë e projektit Wreckers ishte diçka që ndodhi natyrshëm. Unë po punoja me një këngëtare të grupit tim, e cila ishte zëri i dytë (Jessica Harp), dhe ne filluam të shkruanim muzikë së bashku që dukej të vinte natyrshëm prej asaj rryme. Unë, që e vogël dëgjoja muzikë country si për shembull këngëtarët Patsy Cline dhe Johnny Cash, si dhe të tjerë të mëdhenj, dhe më pëlqenin shumë tekstet... mënyra e tregimit të historive. Pra ishte diçka që më tërhiqte dhe ishte e pamundur të mos e provonim.
Jeta e Michelle ka ndryshuar, ashtu si edhe mënyra e saj e të bërit muzikë.
Mënyra ime e të shkruarit ka ndryshuar shumë pasi albumi im i fundit pop doli tetë vjetë më parë. Tani unë jam e martuar dhe jam bërë nënë, pra, shumë gjëra kanë ndryshuar. Kam lëvizur shumë nëpër botë dhe këndvështrimi im artistik ka ndryshuar mjaft.
Fillimi i karrierës për Michelle ndodhi kur ajo ishte 15 vjeçe dhe shoqja e saj e ngushtë e telefonoi që ajo të vinte e të takonte menaxherin e një shtëpie diskografike që kishte ardhur në qytetin e saj në Arizonë. Michele thotë:
Ajo më telefonoi dhe më tha të shkoja të takoja këtë person sepse do të ikte pas pak. I thashë që nuk kisha se si të shkoja atje. Ajo më tha të shkoja më këmbë, me biçikletë, apo me çtë mundja. Fqinji im kishte parkuar makinën e vogël të golfit duke lënë çelësat brenda, kështu që unë mora makinën dhe shkova të prisja këtë person ndërsa ai po dilte (nga fusha e golfit). Më falni zotëri, i thashë, do ta dëgjoni kasetën time, ju lutem? Ai u shokua, por gjatë rrugës nga Arizona për në Los Angeles ai futi kasetën time në kasetofon dhe si përfundim më telefonoi.
Michelle është një vajzë e thjeshtë, megjithatë shumë krijuese. Një shembul për këtë janë tatuazhet e saj.
Gjatë pauzës që u krijua ndërmjet realizimit të albumeve, Michelle filloi të përdorë mediat sociale për të komunikuar me admiruesit e saj.
Unë përdor Twitter. Shpesh është problem pasi ndodh që vajza ime (Owen) të më thojë: Mami, akoma në Twitter je? Për mua ështe mënyra më e mirë për të folur me njerëzit dhe për të pasur një gjëndje të mirë shpirtërore. Unë kam marrëdhënie të mira në Twitter me mjaft njerëz dhe është një mënyrë e këndshme për të komunikuar dhe për të kërkuar këngë.
Michelle mezi po pret të dëgjojë opinionin e adhuruesve të saj në lidhje me albumin e saj të ri si dhe ti paraqesë publikut botëror tingujt e saj të rinj.