Me 13 gusht do të fillojë Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar
Pejë, 2 korrik - Me 13 gusht në qytetin e Pejës, për të 9-in vit me radhë, do të fillojë Festivali Ndërkombëtar i Animacionit “ANIBAR.”
Ne vitin e saj te 9-të, me prestigjin tashme te krijuar, ANIBAR do të mirëpres një numër të madh të filmave të animuar, të cilat do të shfaqen në kinematë e mbyllura dhe të hapura të improvizuara nga stafi entuziast i Anibar.
Anibar u themelua me qëllim të shfaqjes së filmave të animuar në Kosovë, inkurajimit dhe vetëdijësimit të prodhuesve të filmave që të merren më shumë me teknikën e animacionit.
Në tetë vitet e fundit Anibar ka qenë organizator i shumë ngjarjeve kulturore që inkurajon prodhimin dhe shfaqjen e filmave të animuar.
Me kinematë që shfaqin filmat e animuar, Anibar ka sjellur emocione për publikun dhe ka stimuluar imagjinatën e tyre. Përveç promovimit të animacionit si teknikë, Anibar mundohet që me anë të filmave të shfaqur të trajtojë tematika të ndryshme sociale, ekonomike, mjedisore dhe të inkurajojë debate mirëfillëse në shoqërinë tonë.
Këtë edicion Anibar ka vendosur të nxjerrë në pah problemin global të pabarazisë gjinore në fushën e animacioneve. Popullariteti i industrise së animacionit vazhdon të rritet si në Kosovë ashtu edhe në të gjithë botën. Pjesëmarrja e grave në studime për animacion, animatore por edhe shikuese është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi.
Sipas organizatës Woman in Animation, "Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra." Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente.
Prandaj, Anibar përmesë edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për ti adresuar çështjet gjinore tani.
Një proces më gjithëpërfshirës, kreativ dhe teknik, do të përmirësojë punën e grave dhe burrave duke krijuar mundësi për ta shpërndarë animacionin në të gjithë botën.
Gjatë ditëve të festivalit, anëtarët e jurisë dhe profesionistë të animacionit dhe filmave, do të mbajnë debate lidhur me temat e filmave pjesëmarrës dhe animacionin në përgjithësi.
Debatet janë të hapura për çdokënd që është i interesuar të mësoj më shumë për animacionin dhe si mund të përdoren filmat e animuar të paraqesim jetën tonë të përditshme.
Për ata që do të udhëtojnë në Pejë për të ndjekur festivalin dhe për të shijuar atraksionet natyrore dhe kulturore të qytetit, Anibar ka një kamp për vizitorët dhe vullnetarët në Parkun e Qytetit. Vendndodhja e kampit është shumë e përshtatshme pasi që është afër kinemasë dhe organizimeve muzikore të festivalit.
Gjatë shtatë netëve te festivalit, pas shfaqjes së filmave, pjesëmarrësit do të argëtohen në after parties, vend i pasuruar me përformancë të këngëtarëve te zhanreve të ndryshme lokal dhe ndërkombëtar.