Mbyllet Dokufesti
Prishtinë, 17 gusht - Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër Dokufest, i cili u mbajt në Prizren, nga 8 deri më 16 gusht, mbrëmë, në një ceremoni u bë përmbyllja e tij, në natën ku u shpallën fituesit e u ndanë çmimet për filmat më të mirë.
Në ceremoninë përmbyllëse të festivalit Dokufest morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ambasadorë të shteteve të ndryshme të akredituar në Prishtinë, personalitete të shumta nga jeta politike dhe kulturore e vendit, rajonit dhe botës.
Presidentja Jahjaga, i ka përgëzuar drejtuesit e Festivalit, për punën dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për organizimin e kësaj ngjarje kulturore me jehonë ndërkombëtare.
Ndërkaq, në emër të MKRS-së, i cili ishte prej mbështetësve kryesor të këtij festivali, zëvendësministri Rexhep Hoti, ndau çmimin për kategorinë e filmit më të mirë kombëtar, i cili i takoi Amir Vitisë, për filmin Të Pafajshimit, që trajton traumat e luftës së fundit në Kosovës.
Hoti u shpreh se Dokufesti tashmë është ambasadori kulturor i Kosovës në arenën ndërkombëtare të kulturës dhe bën prezantimin e imazhit të vendit ndërkombëtarisht. Ai theksoi se ministria e ka përkrahur vazhdimisht këtë festival dhe ndjehet i lumtur që po ndan një prej çmimeve fituese, duke përgëzuar organizatorët, laureatët dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për edicionin e sivjetmë.
Ndërsa fituesit në kategoritë tjera janë si vijon: Çmimi i Publikut: Remake, Remix, Rip-Off nga Cem Kaya; ProCredit Eko Video: 1st Je polic i vetvetes nga Albulena Veliu; Gara e filmave të shkurtër fitues: Listen nga Hamy Ramezan dhe Rungano Nyoni; Gara e filmave të shkurtër Çmimi Special: Supporting Film nga Douwe Dijkstra; Gara e dokumentarëve të mjedisit fitues: Virunga nga Orlando von Einsiede; Gara e dokumentarëve të mjedisit Çmimi Special: White Coal nga Georg Tiller; Gara e dokumentarëve për të Drejtat e Njeriut fitues: Democrats nga Camilla Nielsson; Gara e Dokumentarëve Ndërkomëtarë/Metrazhi i Shkurtë fitues: Things nga Ben Rivers; Gara e Dokumentarëve Ndërkomëtarë/Metrazhi i Shkurtë Çmimi Special: Scrapbook nga Mike Hoolboom; Gara e Dokumentarëve Ndërkomëtarë/Metrazhi i Gjatë fitues: Machine Gun or Typewriter nga Travis Wilkerson; Gara e Dokumentarëve Ndërkomëtarë/Metrazhi i Gjatë Çmimi Special: The Royal Road nga Jenni Olson; Gara e Dokumentarëve të Ballkanit Balkan Newcomer: Colony nga Gürcan Keltek; Gara e Dokumentarëve të Ballkanit fitues: Flotel Europa nga Vladimir Todorovic.
Në edicionin e sivjetmë të festivalit janë shfaqur 238 filma në 8 kinema të ndryshme, përgjatë nëntë ditëve.
Në qendër të vëmendjes në këtë edicion ka qenë tema e migrimit, që është trajtuar në aspekte të ndryshme, si përmes filmit ashtu edhe debateve.
Gjithashtu, gjatë ditëve sa ka qenë i organizuar ky festival, janë mbajtur edhe punëtori të ndryshme me filmbërës dhe profesionistë vendor e ndërkombëtar.