Mbi 800 studentë ndërkombëtarë aplikojnë në SKENA UP
Prishtinë, 27 tetor - Kur Ministria e Kulturës, pa asnjë paralajmërim e asnjë arsyetim, vendosi që të na shkurtojë për 80 për qind buxhetin, ne e shfrytëzuam këtë pengesë për të krijuar një koncept unik të festivalit, duke tentuar të shfaqim të gjitha punët e papërfunduara të studentëve.
Jemi të lumtur, që pas një muaji aplikimi të hapur, studentët e universiteteve të filmit e teatrit nga e gjithë bota, i janë përgjigjur si gjithherë në këto 13 vite, thirrjes sonë për aplikim.
Vetëm online, kemi pranuar rreth 800 aplikime nga studentë të filmit e teatrit nga vende të ndryshme të botës, pa i ditur aplikuesit me postë. Ne ende nuk e dimë përmbatjen e tyre dhe jemi të sigurt se do të befasohemi me aplikimet filmike dhe teatrore të studentëve.
Bazuar nga përvoja 12 vjeçare e festivalit, edhe sivjet këto aplikime jemi të sigurt se do të krijojnë një program interesant.
Pra, kemi një arsye jashtëzakonisht të fortë që ky edicion të ndodhë. Por gjithashtu na pengon një arsye tjetër e rëndësishme që ky program të mund të ndodhë në Prishtinë.
Vendimi për të na penguar duke vendosur që të shkurtojë buxhetin skajmërisht, nga 15 mijë në 4 mijë na ka detyruar ta refuzojmë si përkrahje. Shuma nuk i ka mbuluar as shpenzimet e një shfaqje teatrale ndërkombëtare të studentëve.
Prandaj kjo e vë në rrezik mbajtjen e këtij edicioni të festivalit SKENA UP.
SKENA UP vitin e kaluar ka sjellë në Kosovë mbi 90 filma të studentëve të universiteteve më të njohura, afro 100 mysafirë ndërkombëtarë dhe 8 shfaqje e dy punëtori dhe qindra studentë vendorë dhe rajonalë.
Ne e dimë që një gjë të tillë sivjet e kemi të pamundur, andaj kemi pretenduar një edicion më kompakt duke e përshtatur me idenë e këtij viti.
Përkundër të gjitha pengeseva dhe sfidave për të bërë të mundur këtë edicion të festivalit të studentëve, dhe përpjekjet për të bindur të tjera kompani kanë qenë të zorshme duke qenë se shuma e kërkuar për të realizuar një festival nuk është aq sa mendon Ministria e Kulturës.
Pikërisht për shkak të kësaj mendësie, Ministria ka vënë në pikëpyetje organizimin e shumë ngjarjeve kryesore të filmit dhe muzikës në vend.
Madje, ka pasur festivale që shkaku i këtij vendimi janë mbajtur jashtë vendit ndërsa të tjera festivale janë shtyrë për vitin tjetër.
E keqja është se festivali dhe ngjarjet e kulturës në Kosovë pengohen dyfish. Përpos shkurtimit të buxhetit, Ministria nuk e ka funksionalizuar e as zbatuar Ligjin për Sponsorizime, i cili do ti motivonte sponsorizimin e ngjarjeve kulturore dhe sportive nga kompanitë private.
Megjithatë këmbëngulja për të mbajtur këtë edicion vazhdon pafundësisht.