10 Janar 2025

Mbahet Java e Kulturës Shqiptare në Austri

Vjenë, 15 qershor - Organizuar  nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri (KKShShA) dhe   përkrahur nga Ministria e Diasporës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit, Ambasada e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë në Austri, Unioni i Bizneseve Shqiptare në Austri, si dhe sipërmarrësit e individët e suksesshëm shqiptarë,  nga data 7-14 qershor 2015 në Vjenë u mbajt ‘‘Java e Kulturës Shqiptare në Austri’’.

Është ky viti i dytë që shoqatat shqiptare, në koordinim me njëra-tjetrën, i ofrojnë publikut vendës dhe diasporës sonë në këtë shtet alpin një program të pasur kulturor, duke promovuar kështu traditën dhe artin shqiptar, i cili kultivohet nga bashkatdhetarët tanë. Në aktivitetet që u organizuan me këtë rast mori pjesë një numër i konsiderueshëm i austriakëve, të cilët i vlerësuan paraqitjet e krijuesve dhe të artistëve shqiptarë.

  
Në kuadër të kësaj jave u organizuan shumë aktivitete, ndër to edhe: koncerti i muzikës klasike  nga artistët: Anjeza Ismajli, Faik Hondozi, Lorika Ismaili, Zamir Kabe, Chiaki Kotobuki, Rrita Bejtullahu, Zakir Pepaj, Semilit Tafallari dhe grupi i fëmijëve nga shkolla e muzikës në Vjenë; pastaj shfaqja e filmit “BOTA”, i regjisores Iris Elezi, ekspozita “Përtej Formës” e prof. Skënder Kraja dhe Beskija Kraja, mbrëmja letrare e organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri “Aleksandër Mojsiu”, koncerti i muzikës folklorike në bashkëpunim me shoqatat “12 Qershori” dhe “17 Shkurti”, turneu i futbollit në bashkëpunim me Ligën shqiptare të futbollit në Austri, si dhe turneu i shahut.

Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe atë të Republikës së Shqipërisë, planifikon që gjatë këtij viti të organizojë “Javë të kulturës shqiptare” edhe në disa nga qytetet kryesore të botës, ku është e koncentruar diaspora jonë, me qëllim të ruajtjes së identitetit kombëtar nga pjesëtarët e diasporës, si dhe prezantimit të vlerave kulturore shqiptare në botë. Këto aktivitete do të realizohen si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë, në mbledhjen e dy qeverive, atë të Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)