01 Janar 2025

Mbahet ekspozita homazh për dëshmorët nga Zvicra

Prishtinë, 13 Dhjetor - Organizuar nga Ministria e Diasporës, përkatësisht nga Qendra Kulturore në Zvicër, në Cyrih u mbajt ekspozita homazh me portretet e 64 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Në këtë ngjarje, në emër të institucioneve të Kosovës, ministri i Diasporës, Valon Murati, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për kontributin e dhënë nga diaspora në të gjitha periudhat e zhvillimit të ngjarjeve në atdhe.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës, znj.Shukrije Ramadani, lexoi emrat e të gjithë dëshmorëve të evidentuar.

Në fund, ministri Murati, bashkë me ambasadoren e Kosovës në Bernë, znj.Nazane Breca, ndanë mirënjohje për aktivistë nga fusha të ndryshme që dhanë kontribut të veçantë në komunitet, sidomos në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës së Kosovës në Zvicër.

Ministri i Diasporës, gjithashtu, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Kuvendi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër, në të cilën u diskutua për gjendjen e mësimit plotësues në Zvicër.

Ministri Murati, në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve, konstatoi se gjendja e mësimit plotësues në Zvicër, sikur edhe në pjesën tjetër të diasporës, është e rëndë.

Me këtë rast, ai garantoi vazhdimin e mbështetjes nga Ministria e Diasporës, si në aspektin e furnizimit me libra falas, ashtu edhe përmes vazhdimit të organizimit të aktiviteteve të ndryshme për fëmijët nga diaspora, në diasporë dhe atdhe.

Ai kërkoi nga LAPSH-i që ta zgjerojë bashkëpunimin me të gjithë faktorët relevantë që mund të japin kontribut në këtë drejtim.

Gjatë qëndrimit në Cyrih, Murati u takua edhe me kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Naser Mustafa, dhe me nënkryetarin e këtij rrjeti, z.Qamil Isufi. Në këtë takim u bisedua për nevojën e avancimit të organizimit të rrjeteve të bizneseve shqiptare në diasporë, në një nivel tjetër.

Po ashtu, ministri vizitoi edhe dy biznese shumë të suksesshme të diasporës sonë: Munishi küchen GMBH dhe Sprenger Verzeugbau Ag, me pronarët e të cilëve diskutoi për ecurinë e zhvillimit të bizneseve të tyre dhe të diasporës sonë në përgjithësi, si dhe bashkëpunimin e tyre me vendin tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)