"Martesa" e Blerta Zeqirit fillon xhirimet
Prishtinë, 30 dhjetor - Pas sukseseve që pati filmi i shkurtër Kthimi nga Blerta Zeqiri duke u shpërblyer me çmimin e parë për film të shkurtër në Festivalin Sundance dhe atë të Sarajevës, regjisorja ka filluar filmin e ri të metrazhit të gjatë Martesa, në të cilin Zeqiri ka punuar për një kohë të gjatë.
Ky film është filmi i parë i mbështetur nga QKK i cili hyn në vitin 2016 me xhirime.
Martesa me skenar nga Blerta Zeqiri dhe Kreshnik Keka Berisha dhe regji nga Blerta Zeqiri ka filluar xhirimet sot gjatë ditës, në lagjen e Arbërisë në Prishtinë dhe do të vazhdoj deri në shkurt të 2016-tës.
Ky film flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese të çiftit dhe në rolet kryesore janë Alban Ukaj, Adriana Matoshi, Genc Salihu ndërsa drejtore e fotografisë është Sevdije Kastrati.
Martesa është e mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2013 dhe rishtazi ka marr mbështetje edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri duke e shëndërruar këtë film në koproduksion mes Kosovës, Shqipërisë dhe Francës.
Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Beze me producent Kreshnik Keka Berisha dhe bashkëproducent Eno Milkani dhe Cedomir Kolar dhe pritet të përfundohet gjatë vitit 2016.