Madonna nisi nga Telavivi turin e saj botëror
Telaviv, 1 qershor - Tel Avivi përjetoi emocione të veçanta të enjten, kur Madonna nisi nga kryeqyteti i Izraelit turin e saj botëror, që do ta dërgojë në 80 shtete të ndryshme të botës.
53-vjeçarja u shfaq përpara 35 mijë spektatorëve në stadiumin Ramat Gan me një numër të madh veshjesh, kërcimesh dhe koreografie, që argëtuan shumë pjesëmarrësit.
Duke treguar se vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer, Mbretëresha e Popit këndoi, i ra kitarës dhe kërceu për më shumë se dy orë radhazi.
Në një moment në mes të koncertit, nëna e katër fëmijëve përfitoi nga rasti për të lëshuar një apel të veçantë dhe për të zbuluar se përse nisi turin e saj pikërisht nga Izraeli.
Vendosa që ta nis këtë tur botëror pikërisht nga Izraeli për një arsye krejtësisht të veçantë. Nuk mund të jesh një fans i imi pa dashur paqen në botë. Gjaku i të gjithë njerëzve ka të njëjtën ngjyrë, deklaroi Madonna, ndërsa turma u ngrit në brohoritje dhe ovacione.
Nëse të gjithë do të ngriheshim mbi egot tona, mbi emrat e shteteve ku jetojmë dhe të besimeve që u përkasim, nëse të gjithë do të trajtohen me dinjitet dhe respekt, atëherë jemi në rrugën e duhur drejt paqes. Dhe nëse paqja do të arrihet këtu në Lindjen e Mesme, atëherë mund të vendoset në të gjithë botën.
Madonna i dhuroi 580 bileta në këtë spektakël anëtarëve të kampeve të paqes palestineze dhe izraelite, ndonëse jo të gjithë e pranuan ftesën.
Koncerti i 53-vjeçares u bojkutua nga disa grupime të krishtera, të irrituara me përfshirjen e simboleve fetare në koncert.
Një tjetër e veçantë ishte pjesëmarrja e djalit 11-vjeçar të këngëtares, Rocco, në disa prej numrave të baletit të ekzekutuara në skenë.