Lohan sulmohet në dhomën e hotelit
New York, 1 tetor - Një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar Lindsay Lohan në dhomën e saj të hotelit.
Aktorja 26-vjeçare kishte ftuar në suitë Christian LaBella-n dhe disa miq pas një feste në një klub nate, por gjërat shkuan keq kur ajo pa foto të saj në telefonin e burrit dhe nisi të kërkonte shpjegime.
Sipas mediave amerikane, Lohan pretendon se 25-vjeçari u nervozua shumë dhe e sulmoi atë duke i vënë duart në fyt dhe duke e përplasur në tokë.
LaBella u largua nga një shok i tij, ndërsa Lohan aktivizoi alarmin e zjarrit duke bërë që të vinin agjentët e policisë.
Një zëdhënës i aktores theksoi: Lindsay u sulmua në mëngjes në dhomën e saj të hotelit në New York.
Agresori është arrestuar dhe po mbahet nën vëzhgim. Lindsay ka folur me policinë dhe po bashkëpunon në hetimin e kësaj çështjeje.
Gjithsesi në orët në vazhdim LaBella është lënë i lirë pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar versionin e Lindsay Lohan.