10 Janar 2025

Lirisë e dëshmorëve u këndohet në Klinë

Klinë, 5 qershor - Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë”, edicioni i 15-të, do të nisë nesër (e shtunë) në Klinë. Ky festival mbahet me rastin e përvjetorit të lindjes të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi - “Kapuçi”.

Hapja e festivalit do të fillojë në orën 11:00 në fshatin Çabiq, në vendlindjen e komandant Mujë Krasniqit. Ndërkaq, në mbrëmjen e së shtunës, për tri net rresht, nga data 6 deri më 8 qershor, me fillim në orën 19:00, në qendër të Klinës ansamble të këngëve dhe të valleve, grupe rapsodësh e shoqëri kulturore artistike të të gjitha trojeve shqiptare, do t’i këndojnë lirisë së Kosovës dhe komandant “Kapuçit”, Adem Jasharit, Beqir Gashit e bashkëluftëtarëve të tyre.

Festivali organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili për gazetën “Epoka e re” ka deklaruar: “Sivjet e organizojmë edicionin e 15-të të Festivalit Folklorik ‘I këndojmë lirisë’. Sikurse edhe në edicionet e kaluara të këtij festivali, edhe këtë vit presim të vijnë mbi shtatëqind artistë nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët në qendër të Klinës do t’i këndojnë lirisë së atdheut, dëshmorëve e heronjve”, është shprehur kryetari Bashota.

Ai ka bërë me dije se edhe mysafirë do të ketë shumë. “Nuk e di se në cilin edicion të Festivalit ‘I këndojmë lirisë’ kemi pasur më pak se tre mijë mysafirë, të cilët kanë ardhur nga të gjitha anët e Kosovës, edhe nga diaspora, për t’u bërë bashkë në këtë festival mbarëkombëtar. Mbase është një prej ngjarjeve kulturore, të kësaj natyre, pra të festivalit folklorik, më e madhja në Kosovë”, ka thënë Bashota, i cili ka treguar se e ka përzgjedhur edhe jurinë për ndarje të çmimeve në natën e fundit të festivalit.

Kur nisi festivali “I këndojmë lirisë”?

Skënder Behrami, asistent i kryetarit Sokol Bashota, i cili është që nga themelimi i këtij festivali është pjesëmarrës në shumë grupe punuese, kurse në tre edicione të tij edhe moderator, vazhdimisht disenjator i të gjitha publikimeve të këtij festivali, edhe i revistës së festivalit \"Lyra\" (e cila botohet gjatë tri netëve të festivalit dhe u shpërndahet mysafirëve), ka treguar se festivali ka filluar në fitin 2001.

“Më 5 qershor 2001, në orën 17:00, në sallën e Pallatit të Kulturës ‘Jehona e Dukagjinit’ pati filluar Festivali Folklorik ‘I këndojmë lirisë’. Organizatori, duke pasur parasysh se festivalin e parë mund ta përcjellin rreth 400 veta, sa i zinte salla, e pjesa më e madhe të mbetet në qytet, mori vendim që në vitet e tjera festivali të shfaqet në ambient të hapur. Po ashtu, u pat propozuar atëkohë që festivali të niste në fshatin e lindjes në Çabiq dhe në ditën e lindjes së komandant Mujë Krasniqit”, është shprehur Behrami.

Çmimet që jepen në natën e fundit të festivalit


Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka bërë me dije se në natën e fundit të festivalit juria profesionale, e emëruar nga grupet punues të këtij festivali, do të japë edhe çmime. “Juria profesionale, e cila tashmë është emëruar, gjatë tri netëve të festivalit do të jetë e pranishme në Klinë. Ajo do t’i përzgjedhë grupet më të mira artistike, shoqëritë kulturore artistike, ansamblet e këngëve dhe të valleve e do t’u japë çmime. Çmimi më i madh i festivalit është Çmimi ‘Mujë Krasniqi’.

Por, do të jepen edhe çmimet për: vendin e dytë, të tretë, çmimi i publikut, valltari më i mirë, grupi më i mirë i rapsodëve, dueti më i mirë, zëri më i mirë i festivalit, veterani i festivalit, veshja më autentike, orkestra më e mirë në festival, ansambli më i kompletuar, instrumentisti më i mirë, interpretuesi më i mirë, vallja më e mirë koreografike”, ka bërë me dije Bashota.

Festivali “I këndojmë lirisë” nis kështu...

Organizimi i sivjetmë i festivalit nis ditën e shtunë në orën 11:00 në Çabiq. Gjatë kësaj dite, grupet pjesëmarrëse të festivalit do të defilojnë në qytetin e Klinës. Tashmë është bërë tradicionale që në natën e parë të hapjes së festivalit grupet pjesëmarrëse në festival të bëjnë paradë folkloristike, me kostume, vegla muzikore, pankarta me mbishkrime të grupeve pjesëmarrëse në festival, me flamurin kombëtar e të shtetit të Republikës së Kosovës, të festivalit e të grupeve artistike, duke filluar nga Rruga “Dëshmorët e Kombit” - Sheshi “Mujë Krasniqi”, ku bëhet nderimi i dëshmorëve, pastaj vazhdon tek Sheshi “Nënë Tereza”.

Në këto sheshe kënga dhe vallja në natën e parë, derisa të nisë festivali në orën 19:00, s’kanë të ndalur.

Aktivitetet kulturore e sportive gjatë festivalit


Ndër aktivitetet e tjera në këtë festival është edhe përurimi i librit të Prend Buzhalës “Ata hynë vetë në këngë”, i cili është një përmbledhje e shkrimeve nga edicionet e kaluara të festivalit. Po ashtu, do të organizohet edhe tribuna shkencore rreth krijimtarisë folkloristike e etnografike shqiptare.

Ndër të tjera, në këto tri net të festivalit do të hapet edhe ekspozita e artit figurativ të piktorëve klinas, do të luhen drama të ndryshme, do të hapet ekspozitë me foto e dokumente nga edicionet e festivaleve të kaluara. Në kuadër të festivalit organizohen edhe gara sportive në futboll, volejboll, ping-pong.

“I këndojmë lirisë”, festival epik

Festivali “I këndojmë lirisë” ka temë epike. Gjatë katërmbëdhjetë vjetëve të tij 95 % të këngëve e të valleve ishin me përmbajtje epike e 0.5 % lirike. 40 % janë kënduar këngë kushtuar Adem Jasharit, Mujë Krasniqit, Beqir Gashit e bashkëluftëtarëve të tyre; 20 % këngë kënduar figurave të tjera të njohura kombëtare; 10 % këngë të vjetra folklorike popullore; 20 % valle koreografike lufte e lirie; 0.5 % valle tradicionale; 0.5 % këngë lirike.

Programi i festivalit

Në natë e parë të festivalit do të paraqiten në skenë 16 shoqëri e grupe kulturore artistike, në natën e dytë 14, kurse në natën e tretë 16. Programin e tri netëve festivalit mund ta lexoni në këtë fletëpalosje.

“Epoka e re”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)