Liridona Spahiu, zëri që depërtoi në zemrat e artdashësve
Prishtinë, 23 qershor - Këngëtarja Liridona Spahiu, edhe pse në moshë të re, me zërin e saj ka bërë që sa herë që paraqitej në skenë, publiku ta duartrokiste dhe ti jepte kurajë ta vazhdojë këndimin, të cilin ajo e kishte zgjedhur edhe si profesion, meqë është nxënëse e Shkollës së Mesme të Muzikës Çesk Zadeja në Ferizaj.
Ajo qysh fëmijë është dalluar për zërin e bukur dhe talentin e saj për të kënduar, pasi ajo është rritur në një familje në të cilën gjithmonë frymonte muzika e mirëfilltë tradicionale shqiptare.
Ajo ka qenë pjesëmarrëse në shumë koncerte e festivale. Isha fituese e çmimit të dytë në Festivalin Kosovarja Këndon 2010, si dhe në audicionin e këngëve të vjetra qytetare Zëra hite ndër vjet, ka treguar Spahiu për gazetën Epoka e re.
Përpos përkrahjes familjare, ajo ka bërë me dije se përkrahjen më të madhe profesionale e ka gjetur te dirigjentja Lindita Isufi, e cila, duke parë se ajo premtonte shumë me zërin që kishte, e ka mbështetur dhe inkurajuar në fillimin e karrierës së saj.
Spahiu ka treguar se së bashku me dirigjenten Isufi janë duke vazhduar bashkëpunimet në kuadër të Artistic Center, me çrast ajo ka realizuar edhe koncertin e saj artistik, i cili kishte hapur Javën e Kulturës në qytetin e Ferizajt.
Spahiu ka treguar se planet e saj për të ardhmen janë ta vazhdojë këndimin dhe studimet në muzikë.
Planet e mia janë ta vazhdoj këndimin dhe ti vazhdoj studimet për muzikë, si dhe të paraqitem në festivale, sidomos aty ku këndohet live, sepse aty mund të paraqes mundësi reale interpretuese, ka thënë Spahiu.