Leze Qena i bashkohet platformës avokuese “Miqtë e Fëmijëve”
Prishtinë, 26 shtator - Artistja e mirënjohur Leze Qena, me më shumë se 55 vite përvojë si aktore e suksesshme në shumë shfaqje teatrale në Kosovë, e cila gëzon një respekt të madh në shoqërinë tonë, e njohur dhe e admiruar nga publiku i gjerë përmes roleve shumë të dashura për publikun, i është bashkuar platformës avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve”.
Aktorja e mirënjohur pohon se është mjaft entuziaste për këtë iniciativë duke u shprehur: “Me kënaqësi të madhe i bashkohem platformës avokuese “Miqtë e Fëmijëve” në të cilën do të jap kontributin tim për më të mirën e fëmijëve. Fëmijët janë e ardhmja e Kosovës, dhe unë do të përkrah iniciativat e KOMF për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, deri sa të jem gjallë”.
Në 25 Shtator 2017, aktorja e mirënjohur e skenës dhe teatrit tonë Leze Qena, ka nënshkruar “Deklaratën e Zotimit” e cila është një përmbledhje e zotimeve të Miqve të Fëmijëve për tu angazhuar në vazhdimësi në çështjet që prekin apo cënojnë mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.
“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar vetëdijësimin e institucioneve dhe komunitetit, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë.
Kjo platformë dhe angazhimi i Miqve të Fëmijëve në fushata të ndryshme do të ndihmojë në rritjen e impaktit për çështjet e ndërlidhura me mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.
“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e inicuar dhe e koordinuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF. Koalicioni është themeluar në vitin 2011, është koalicion i përbërë nga 22 organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me mision të përbashkët avokimin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë”.