Leonardo Di Caprio jep 3 milion dollarë për shpëtimin e tigrave
Hollywood, 24 nëntor - Aktori Leonardo Di Caprio ka dhuruar plot 3 milionë dollarë për të ndihmuar në shpëtimin e tigrave në Nepal.
Ai e bëri donacionin për world wildlife Fund përmes fondacionit të tij të bamirësisë.
Fondet do të përdoren për të rritur numrin e tigrave në Nepal brenda vitit 2022, që është dhe viti i tigrit.
Në një deklaratë, 39-vjeçari u shpreh se shpreson që donacioni i tij të ndihmojë në dyfishimin e tigrave të vendit aziatik.
Tigrat e Nepalit konsiderohen si një specie në rrezik dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të urbanizimit ilegal që është shtrirë edhe në xhungël.
Donacioni i Di Caprio do të shërbejë edhe për të mbështetur patrullat që mbrojnë kafshët dhe riparojnë ambjentet për to.
Deri tani, fondacioni ka ndihmuar në rritjen e popullsisë së tigrave në parkun kombëtar Terai Bardia të Nepalit nga 18 në 50 njësi.