LDK shpreh shqetësim për zhvillimet e fundit në Teatër
Prishtinë, 2 prill - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar është shumë e shqetësuar për thellimin e diktatit politik mbi institucionet e kulturës.
Zgjedhja e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar, pas favorizimit të hapur politik nga struktura udhëheqëse e ministrisë sipas LDK-së e ka dëmtuar përfundimisht teatrin si isntitucion nacional kulturor dhe artistët i ka vënë para sprovës së madhe për fatin e tyre.
\"Fakti se shumica sish janë frikësuar dhe nuk i janë nënshtruar fare garës, ngaqë e kanë parë përzgjedhjen si një farsë të orkestruar, dëshmon se ky proces, përveç se është fundi i një kronike të paralajmëruar, është ndër më komprometuesit në dhjetëvjetëshin e pasluftës në Kosovë, në mos edhe në krejt historinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.\"
\"Ne jemi të bindur se ky process është në kundërshti me pritjet e komunitetit artistik dhe se atij i ka paraprirë një histori e zhvillimeve të orkestruara\", ka theksuar LDK.
Kështu, më 24 shkurt 2014 ministri pati emëruar Këshillin e ri Drejtues të Tetarit Kombëtar të Kosovës, pa dhënë asnjë sqarim publik se pse është shkarkuar pjesa e mbetur e këshillit (pas dorëheqjes së dy anëtarëve) dhe pse është emëruar këshilli i ri.
Duket se është bërë tashmë praktikë e qeverisjes arbitrare të tij që gjithmonë, pak ditë ose pak javë para se të fillojë procesi i zgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm, të shkarkojë dhe të emërojë këshilla sipas qefit të tij.
LDK thekson se jo rastësisht në Këshillin e ri të TKK-së janë emëruar një ish-këshilltar i tij (Haqif Mulliqi) dhe një këshilltar i kryeministrit të Kosovës (Fadil Hysaj), për të cilin vetë Avdiu pati deklaruar se e përkrah. Vendimet arbitrare nuk përfundojnë këtu.
Nga fundi i vitit të kaluar si U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm është emëruar (po jashtëligjshëm) Kamuran Goranci, aktualisht drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS, në varësinë e të cilës është TKK-ja. Pra, kjo mund të konsiderohet si një ndërhyrje e pastër dhe arbritarisht e qëllimshme në punën dhe menaxhimin e TKK-së.
\"Ne konsiderojmë se praktikat e manipulimit të konkursit dhe instalimi me diktat politik i udhëheqësve të institucioneve kulturore vetëm sa do ta thellojë edhë më shumë krizën në TKK.\"
\"Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë në largim që tash, në ditët e fundit të saj, të heqë dorë nga praktika e ndërhyrjeve dhe e emërimeve politike, sepse me veprime dhe vendime të tilla po krijon pasoja vështirë të riparueshme\", pohon në fund LDK.