LDK reagon ndaj emërimit të Sali Bashotes
Prishtinë, 20 janar - LDK ka reaguar sot ndaj emërimit të Sali Bashota në krye të Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare. LDK përmes një komunikate ka përsëritur qëndrimin e saj se ku veprim i Ministrisë së Kulturës është tendencë e ministrit Krasniqi ti risistemojë, jashtëligjshëm në institucionet e kulturës, militantët e partisë në pushtet dhe shërbyesit shumëvjeçarë të saj.
Në konferencën e fundit me mediet, Lidhja Demokratike e Kosovës e bëri të qartë tendencën e Ministrisë së Kulturës që, jashtëligjshëm, ti risistemojë në institucionet e kulturës militantët e partisë në pushtet dhe shërbyesit shumëvjeçarë të saj.
Pasi vetëm pak kohë më parë ajo e shkeli Ligjin për Kinematografi dhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, në veçanti nenin 17 të tij, duke e emëruar drejtor të QKK-së ish-udhëheqësin e bordit të kësaj qendre, z. Zharku, së fundi ajo e rikonfirmori gatishmërinë për ta shkelur rishtas ligjin duke e emëruar z. Sali Bashota në krye të Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare.
Ligji e përcakton qartë: Zyrtari i lartë i cili përfundon ushtrimin e funksionit publik nuk ka të drejtë për një vit të punësohet ose të emërohet në pozitë udhëheqëse, apo të përfshihet në kontrollin e ndërmarrjeve publike apo private, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen apo kontrollin e afarizmit të atyre ndërmarrjeve.
LDK-ja vlerëson se Bibliotekës Kombëtare i nevojitet reformë e thellë funksionale, e cila do ta shndërronte atë në qendër për konservimin, ruajtjen dhe promovimin e kulturës, siç shërbejnë bibliotekat kombëtare gjithandej, dhe kjo bëhet vetëm duke i respektuar ligjet dhe duke u sjellë me profesionalizëm.