Lansohet Platforma Digjitale e Qendrës Historike të Prizrenit
Prizren, 16 shtator - EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kanë lansuar Platformën Digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit gjatë ceremonisë së mbajtur në ndërtesën e MKRS-së në Prizren.
Platforma Digjitale e Qendrës Historike të Prizrenit është databazë online, në të cilën paraqiten të gjitha strukturat, duke përfshirë shtëpitë, monumentet, objektet fetare, urat, etj. Kjo platformë është krijuar nga EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, institucion vartës i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe synon promovimin e Qendrës Historike të Prizrenit. Në të janë ngarkuar informata të ndryshme për strukturat ekzistuese në Qendrën Historike, duke filluar prej statusit ligjor, kohës së ndërtimit, etazhitetit, gjendjes fizike, pastaj shfrytëzimit, vlerave që posedojnë ndërtesat dhe harmoninë me kontekstin historik të tyre.
Baza e të dhënave ka buruar nga hulumtimi i realizuar për nevojat e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike, i cili është hartuar gjatë vitit 2017 dhe hulumtimi në terren ka vijuar edhe gjatë vitit 2021 deri në vitin 2022.
Qëllimi i kësaj platforme është dokumentimi si dhe krijimi i një baze të të dhënave mbi gjendjen ekzistuese të Qendrës Historike dhe njëherësh ofrimi i një mjeti praktik për transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut. Platforma përpos të dhënave nga terreni posedon edhe kategorinë e publikimeve me dokumente, plane, strategji e ligje relevante që lidhen me këtë qendër historike.
Platforma ka rëndësi të veçantë sepse shpalos gjendjen e Qendrës Historike, e cila kohë pas kohe do të përditësohet dhe mund të shfrytëzohet nga institucionet relevante të trashëgimisë kulturore, organet e pushtetit lokal, studiuesit, hulumtuesit, dhe të tjerë.
Platforma është krijuar në mënyrë vullnetare nga EC Ma Ndryshe, e cila ka bërë hulumtime të sakta dhe të gjata në terren, bashkë me shqyrtimin e dokumenteve relevante si dhe legjislacionin në fuqi. Platforma do të vazhdojë të mirëmbahet nga EC-i dhe do të jetë pjesë e projekteve të tjera të cilat do ta pasurojnë më shumë Platformën.
Qendra Historike e Prizrenit sipas legjislacionit në fuqi trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe e klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar.