Lalushi vjen si snajperist dhe deputet
Prishtinë, 15 nëntor Në opinion njihet me emrin artistik Lalushi, të cilin ia la daja i tij, Osmani. Por, emri i vërtetë i tij është Ganimet Bytyqi. Edhe pse shumëkush mendon se është llapjan, Lalushi vjen nga fshati Terstenik i Drenicës, por jeton dhe vepron në Prishtinë. Është babai i Shkodranit dhe Festimit.
Në një bisedë për gazetën Epoka e re Lalushi ka treguar për surprizat dhe projektet filmike që do ti sjellë për Vitin e Ri, jetën e tij prej këngëtari, humoristi, ushtari të UÇK-së e deri te puna e menaxherit artistik.
Ganimet Bytyqi-Lalushi fillimisht nis karrierën e tij si këngëtar, që nga viti 1994, në Shoqërinë Isa Boletini, në vendlindjen e tij, por pas dy viteve, më 1996, ai i kthehet humorit duke u nxitur nga shokët e tij, për talentin e tij të jashtëzakonshëm.
Karrierën time fillimisht e kam nisur si këngëtar në shoqërinë e atëhershme Isa Boletini, në vendlindjen time, për tu kthyer pas dy viteve në botën e humorit, me shumë i nxitur nga shokët dhe miqtë e mi, të cilët vazhdimisht më inkurajonin se ke një talent të lindur për të bërë humor, ka thënë Lalushi. Ai thotë se që nga ajo kohë e deri më tani ka realizuar rreth 90 DV-projekte, kryesisht nga zhanri i humorit dhe parodisë.
Ndër projektet më të realizuara të Lalushit ka qenë projekti prej pesë episodesh Martesa e Lalushit. Martesa e Lalushit ka qenë projekti më i realizuar i imi, ngase në pesë episodet e këtij projekti kam arritur të kthehem me skenarin e këtyre skeçeve rreth 50 vite pas duke parodizuar jetën dhe hallet e qytetarëve të cilat i kanë pasur në ato vite, është shprehur ai.
Por, simpatizuesit e Lalushit, sivjet për Vit të Ri, do ti kenë katër DV-di, kryesisht me humor dhe parodi si: Lalush snajperisti, Lalush deputeti dhe Gëzuar me Lalushin 1 dhe 2, si dhe DV-di projektin me videoklipe Ganimete Bllaca me mysafirë, të gjitha këto pjesë të shtëpisë filmike Art-Lali, drejtor i së cilës është vetë Lalushi.
Pavarësisht tregut të dobët dhe piraterisë në internet, për nder të simpatizuesve të mi nuk e kam ndërmend të ndalem asnjëherë dhe do tu dhuroj sa më shumë projekte interesante atyre, nënvizon ai.
Për Lalushin viti 2012 ka qenë vit i suksesshëm, ngase ai ka arritur të realizojë shumë videoklipe, DV-di dhe reklama të ndryshme. Suksesi më i madh për mua është se kam realizuar një videoklip të një talente të re e cila quhet Leoni Agushi-Leo dhe së shpejti pritet të editohet në televizionet shqiptare, ka theksuar ai.
Për skenarët dhe skeçet e ndryshme humoristike Lalushi frymëzohet nga aktualiteti shqiptar dhe kosovar, duke vlerësuar se nuk e bën humori atë të lumtur dhe nuk mjafton shkolla por, sipas tij, talenti e bën një artist të suksesshëm.
Përveç një artisti që tashmë ka krijuar emrin e tij, në opinionin shqiptar e me gjerë, Lalushi ndihet krenar që në moshë të re i ka shërbyer atdheut, duke qenë një ndër ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), si pjesëtar i Brigadës 113 Mujë Krasniqi.
E personazhin që Lalushi e luan me shumë dashuri dhe i cili i ka mbetur në zemër është Lalush Çobani, derisa ai falënderon edhe dajën e tij, Osman Jakupin, i cili shpesh e ndihmon dhe e këshillon rreth ideve dhe skenarëve të skeçeve të tij humoristike, sikurse falënderon edhe gjithë donatorët, që me ndihmën e tyre edhe arrin ti realizojë projektet e tij filmike.
Paroditë e tij marrin shkas nga premtimet boshe dhe retorika blofe e punëve të politikanëve tanë të cilët premtojnë shumë, por në realitet nuk realizojnë asgjë. Lalushi, përveç tregut kosovar, synon edhe tregun e jashtëm, ku sivjet atë do ta gjejmë në vende të ndryshme të Evropës si në: Angli, Gjermani dhe Itali.