Lady Gaga merr titullin Gruaja e vitit
Los Angeles, 1 tetor - Këngëtarja e hitit Born This Way është vlerësuar për arritjet e saj në muzikë dhe për kontributin e dhënë në këtë industri, duke u vlerësuar si Gruaja e vitit nga Billboard.
Këngëtarja ka përdorur rrjetin social Twitter, në të cilin ka shkruar: Nuk mund ta besoj që Billboard më ka cilësuar si Gruaja e Vitit, faleminderit shumë. Ju jam shumë mirënjohëse.
Gaga ka shitur mbi 28 milionë kopje albumesh dhe ka fituar 6 çmime Grammy, por gjatë vitit 2015 ajo i ka kushtuar më shumë kohë profesionit të saj si aktore për filmin American Horror Story: Hotel.
Projekte të tjera të rëndësishme të yllit këtë vit kanë qenë publikimi i duetit Anything Goes me Tony Bennett dhe dyshja gjithashtu ka përfunduar turneun në Amerikën Veriore dhe Europë, një turne që përmbante 36 koncerte.
Lady Gaga gjithashtu pritet të publikojë albumin e saj të pestë vitin e ardhshëm.
Liz Gateley, e cila do të drejtojë ne ekran çmimet e Billboard në muajin dhjetor, është shprehur: Lady Gaga është një artiste e jashtëzakonshme, simboli i forcës dhe i kurajës. Ne jemi te lumtur që ta vlerësojmë këtë artiste ashtu siç ajo e meriton\".