28 Dhjetor 2024

Krasniqi: Nevojitet përgjegjësi e lartë në menaxhimin e muzeve

Prishtinë, 18 maj - Me një varg aktivitetesh, sot, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Shënimi i kësaj dite ka nisur me një tryezë diskutimi për muzetë dhe për trashëgimisë e luajtshme, e në të cilën ka marrë pjesë edhe Ministri I Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, përfaqësues të institucioneve të trashëgimisë në vend dhe ekspertë të tjerë të fushës së trashëgimisë.

Ministri Krasniqi në fjalën e tij, Muzeun e ka quajtur si një nga institucionet më përfaqësuese për një shtet dhe për këtë arsyeje, ka thënë ai, duhet gjithmonë që përgjegjësia në menaxhim dhe promovim, të rritet.

“Muzetë janë një histori në vete, një rrëfim i rrugëtimit të një populli nëpër vite e shekuj. Muzetë na rrëfejnë për mënyrën e jetës së të parëve tanë, se si visheshin ata, si dhe me çka punonin, si festonin e si ushqeheshin. Ata më së miri e tregojnë shpirtin e një populli, kulturën, besimin e traditën e tij.\"

\"Më vjen mirë që edhe ne me shumë aktivitete sot po e shënojmë ditën ndërkombëtare të muzeve. Kjo tregon ndoshta simbolikisht se ne kemi ndryshuar shumë, kemi bërë progres, mbi të gjitha në qasjen tonë ndaj këtij institucioni, në veçanti dhe të trashëgimisë kulturore në përgjithësi”, ka thënë ai.

Ministri ka folur për trashëgiminë e luajtshme dhe punën që bëhet në Kosovë për ta ruajtur dhe promovuar atë. Trashëgimia e luajtshme, tha ai, është një nga komponentët më të rëndësishme të gjithë thesarit tonë kulturor.

“Në fakt mendoj që përbën një prej pasurive më të mëdha të gjithë tërësisë së vlerave tona kulturore. Sikur edhe në çdo sferë tjetër, edhe në këtë aspekt ne kemi pasur mjaft sfida. Asetet e kësaj trashëgimie, duhet thënë sinqerisht, nuk janë ruajtur e trajtuar si duhet, nuk janë dokumentuar sa duhet. Një aspekt tjetër që nuk lidhet shumë me vullnetin tonë, është fakti që neve ende na mungojnë mbi 1200  artefakte etnologjike dhe arkeologjike, të cilat pushteti serb i grabiti nga Muzeu i Kosovës në vitin 1999 dhe vazhdon t\'i mbajë ato padrejtësisht”.

Ministri ka vlerësuar hulumtimet që në vazhdimësi bëjnë arkeologët dhe studiuesit e tjerë dhe ka premtuar me këtë rast se buxheti I MKRS-së në këtë drejtim do të rritet në vazhdimësi.

Një aspekt tjetër që ai ka përmendur është që bashkëpunimi mes muzeve dhe çështja e promovimit dhe rritjes se vizitorëve të studiohet mirë, dhe që të ketë sa më shumë rekomandime që vijnë pikërisht nga ata që e njohin më së miri këtë fushë, dhe në një rast të tillë institucionet shtetërore do të japin përkrahjen e nevojshme.

Duke folur në përgjithësi për fushën e trashëgimisë dhe angazhimet e institucioneve përkatëse, Ministri Krasniqi tha se MKRS-ja do të vazhdojë që edhe në vitet e ardhshme ta trajtojë atë më prioritet.

“Por, përveç synimit tonë që të rrisim buxhetin, thelbësorja e angazhimit tonë ka qenë, dhe është instalimi i një logjike të re të punës, ku secili nga ne e merr me shumë përgjegjësi detyrën që e ka, e respekton institucionin dhe punën e vet në radhë të parë. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që muzetë të marrin një pamje tjetër ku shohim më shumë vizitorë, një rend tamam ashtu siç i ka hije, dhe ku puna apo gjithë ai thesar në muze promovohet në mënyrë sa më kreative dhe sa më tërheqëse”, ka thënë ai.

Ministri ka njoftuar se në kuadër të angazhimeve për ruajtje dhe promovim të trashëgimisë kulturore, edhe si vlerë të turizmit, MKRS-ja këto ditë do të nisë punimet në hapjen e qendrës informuese dhe promovuese të trashëgimisë në Prishtinë, e që do të jetë në Parkun Arkeologjik të Muzeut të Kosovës.

Po ashtu, ai njoftoi edhe për hapat që tashmë janë ndërmarrë në kuadër të hartimit të Projekt-Ligjit për Muzetë, që pritet të finalizohet deri në fund të këtij viti.

Në fjalën e saj, studiuesja e trashëgimisë, Prof. Exhlale Dobruna – Salihu, duke përshëndetur angazhimet institucionale në Kosovë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së luajtshme, tha se janë dy çështje kyçe që duhen ndërmarrë me rastin e mbrojtjes së pasurisë së luajtshme.

“Gjërat e të cilat gjenden në gërmime në prona shoqërore duhet që sa më parë të barten në muze apo në ndonjë institucion tjetër përkatës dhe të evidentohen. Çështja tjetër që ndikon në mbrojtjen e pasurisë së luajtshme është socializmi i mbrojtjes, pra, vetëdijesimi dhe aktivizimi i mbarë shoqërisë për këtë gjë”.

Ndërkaq Gjejlane Hoxha, drejtoreshë e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore tha se një prej fokuseve të veçanta që duhet të jetë në të ardhmen  që materialet e trashëgimisë së luajtshme të ruhen nga trafikimet e ndryshme dhe të ketë më shumë bashkëpunim me shtete në rajon.

Pas tryezës aktivitetet kanë vazhduar me ndarjen e mirënjohjeve për disa qytetarë, të cilët kanë gjetur artefaktet të ndryshme dhe më pas ato ia kanë dorëzuar Muzeut të Kosovës.

Ministri gjatë ndarjes së mirënjohjeve tha se ky është një shembull i mirë i vetëdijesimit dhe kontributit qytetarë për trashëgiminë dhe ruajtjen e saj dhe bëri apel që shembujt e tillë të ndiqen nga të gjithë që mund të posedojnë artefakte muzeore.

Aktivitete të tjera për këtë ditë kanë qenë edhe përfshirja e fëmijëve nga Sos Fshati në forma të ndryshme të edukimit për trashëgiminë kulturore, duke simuluar edhe gërmimet arkeologjike dhe punët restauruese në artefakte të gjetura. Ministri Krasniqi ka parë nga afër punën që kanë bërë këta fëmijë.

Ndërkohë në Muzeun Etnologjik ka pasur një sërë aktivitetesh me fokus në trashëgiminë shpirtërore, në traditën muzikore, artizanale dhe ushqimore të vendit tonë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)