Krasniqi: Luftë e pakompromis kundër piraterisë
Prishtinë, 14 gusht - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi bashkë me Zëvendëskryeministren e Kosovës dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila kanë takuar sot Task Forcën Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit, për të koordinuar hapat dhe për të shprehur përkushtimin për veprime konkrete në luftë kundër piraterisë nga data 16 Gusht, siç parashihet edhe me Strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër Piraterisë dhe Falsifikimit.
Ministri Krasniqi ka falënderuar gjithë anëtarët e Task Forcës për angazhimin gjatë fushatës informuese dhe në përgatitjen për ndërmarrjen e hapave konkret për luftimin e piraterisë në tregun e Kosovës.
Po ashtu ai tha se në këtë drejtim puna ka shkuar shumë mirë, pasi edhe përkrahja, nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja Kusari Lila ka qenë e madhe. Ministri Krasniqi theksoi se nga tash fillon një fazë e re e angazhimit dhe me e rëndësishme.
Lufta kundër piraterisë duhet të jetë e pandalshme dhe nuk duhet të ketë asnjë kompromis në këtë drejtim, ka thënë Ministri Krasniqi.
Ai potencoi se tash një përgjegjësi e madhe i takon Inspektoratit të Tregut të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, si anëtarë të Task Forcës.
Në këtë drejtim, ai ka inkurajuar Kryeinspektorin e Tregut, Ruzhdi Shehu që të marrë të gjitha masat në mënyrë që veprimet konkrete për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit të sjellin rezultate.
Ministri shtoi se është e rëndësishme që në vazhdimësi të ketë veprime konkrete dhe mbikëqyrje të rreptë të zbatimit të legjislacionit përkatës.
Ai ka rikonfirmuar përkrahjen e MKRS-së për këtë proces, duke shprehur përkushtimin e thellë për zbatim të ligjit dhe mbrojtjes së krijimtarisë origjinale artistike dhe shkencore.
Krasniqi ka njoftuar anëtarët e Task Forcës se ka pasur takim edhe me drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni dhe nga ai ka marrë gjithë mbështetjen e nevojshme për zbatimin e veprimeve konkrete kundër piraterisë.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila tha se i gjithë angazhimi kundër piraterisë është një shembull i punës dhe përkushtimit për zhvillimin e një shoqërie të vlerave.
Ajo ka përgëzuar punën që ka bërë MKRS, duke përgatitur gjithë infrastrukturën ligjore dhe institucionale, si dhe duke koordinuar çdo hap me secilin institucion të involvuar në luftimin e piraterisë dhe falsifikimit.
Sipas saj, puna në këtë aspekt është mjaftë e rëndësishme edhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kusari Lila shprehi gatishmërinë e saj të plotë për të dhënë mbështetjen e vazhdueshme për Task Forcën.
Kryeinspektori i Tregut i Kosovës, Ruzhdi Shehu ka njoftuar anëtarët e Task Forcës dhe ministrat për përgatitjet që kanë bërë bashkë me Policinë e Kosovës, duke shtuar se tashmë çdo gjë është e koordinuar dhe do të ketë veprime të menjëhershme dhe të vazhdueshme.
Shehu tha se janë identifikuar një numër i madh i objekteve dhe bizneseve që do të inspektohen dhe ndaj të gjithë atyre që do tu gjinden në posedim materiale pirate, do të ndërmerren procedurat e parapara me Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe me Kodin Penal të Kosovës.