Kosovo 2.0 sjell filmin “Tri dritare dhe një varje’’
Përmes Lokomotivës, Kosovo 2.0 me anë të mjeteve artistike synon të përfshijë të rinjt e të rejat në diskutim kuptimplotë rreth gjinisë, etnisë, religjionit dhe racës.
Diskutimin e parë lidhur me temën e gjinisë do ta nisim me shfaqjen e filmit ‘’Tri dritare dhe një varje’’.
Fabula e filmit në regji të Isa Qosjes, është e vendosur në një fshat tradicional të Kosovës, një vit pas përfundimit të luftës, ku njerëzit përpiqen të rindertojnë jetërat e tyre.
Por, normaliteti i këtyre përpjekjeve ndërpritet kur merret vesh se disa gra të fshatit ishin përdhunuar gjatë luftës.
Stigmatizimi dhe përjashtimi që u bëhet protagonisteve, viktima të dhunës seksuale, në film përkon me realitetin e trishtë kosovar që nga viti 1999.
Dhuna seksuale në cilëndo formë shpesh ëshrë vet rezultat i pushtetit të pabarabartë në mes burrave dhe grave, i paracaktuar nga vet strukturat patriarkale.
Por, mediumi i filmit gjithnjë ka sfiduar dhe vënë në pikëpyetje pabarazitë e tilla, prandaj Kosovo 2.0 ka vendosur që projektimi i filmit të shërbejë si pikënisje për diskutimin rreth ndikimit të artit/filmit në luftimin e parabarazisë gjinore.
Diskutimit tonë do t’i bashkohen, Irena Cahani në rolin e Lushes te filmi ‘’Tri dritare dhe një varje’’, Adelina Berisha koordinatore për Avokim pranë ‘’Rrjeti i Grave të Kosovës’’ dhe Sibel Halimi - Sociologe.