Kosova shkon në OSCARS
Prishtinë, 14 janar - Kosova sot feston nominimin e saj të parë në Akademinë OSCARS® 2016, gjë që shënon suksesin më të madh të industrisë së filmit kosovar deri më tani.
Kjo është hera e parë në histori që Kosova hyn në Academy of Motion Pictures Arts and Science me filmin Shok, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë.
Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi Shok sapo u nominua bashkë me 4 filma të tjerë për çmimin Best Live Action Short Film në edicionin e 88-të të OSCARS®.
Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.
Shok është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.
Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe Shok tashmë ia ka hapur dyert filmave kosovar që të jenë prezent në ngjarjet më të mëdha të filmit.