Kosova rithemelon Muzeun e Historisë së Natyrës
Prishtinë, 18 maj - Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe në Kosovë, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzeve.
Në aktivitetin kryesor që është organizuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës, morën pjesë personalitete të shumta nga fusha e kulturës, e trashëgimisë si dhe nga ajo akademike, ndër ta, ministrja Vlora Dumoshi, rektori i UP-së, Marjan Dema, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Yll Rugova e drejtues të institucioneve.
Me këtë rast, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët i nënshkruan ministrja Dumoshi e rektori Dema.
Qëllimi i memorandumit është rithemelimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Kosovë, institucion ky i cili ka funksionuar nga 1951 deri më 2001.
Sipas memorandumit, MKRS-ja ka për obligim të ndërtojë infrastrukturën adekuate për Muzeun në fjalë, me gjithë hapësirat përcjellëse, financimin dhe ndihmesën e mbledhjes së fondeve për eksponatet dhe koleksionin e Muzeut, mbështetjen e vazhdueshme të Muzeut si institucion kulturor publik.
Ndërsa, UP-ja, konkretisht Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ka për obligim ndihmën në aspektin shkencor dhe teknik të hulumtimeve dhe ekspozitave për Muzeun e Historisë së Natyrës, pasurimin e koleksionit të Muzeut të Historisë së Natyrës, konservimin, kërkimin, mbledhjen dhe përhapjen e diturisë mbi natyrën në Kosovë, vënien në dispozicion të kuadrit profesional për Muzeun.
Në fjalën e saj, ministrja Dumoshi, e vlerësoi se institucioni i muzeut është një thesar i pasur i vendit dhe i rëndësishëm në spektrin kombëtar e ndërkombëtar.
“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve ju siguroj që ta keni mbështetjen time, të vazhdoni angazhimet e juaja dhe punën e juaj të palodhshme në cilësinë e profesionistëve të kësaj lëmie. Ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit tonë është qëllimi ynë parësor dhe i përbashkët. Ne sot do të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës me qëllim të rithemelimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, në funksion primar si muze dhe si qendër edukimi mbi historinë e natyrës”, tha ministrja.
Ministrja po ashtu u shpreh se shtojnë angazhimin në renovimin dhe funksionalizimin e muzeve tjera, e si prioritet përmendi Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” dhe tha se do të mbështesin edhe muzetë nëpër qytete tjera të Kosovës.
“Ne sot në këtë ditë, po e japim një lajm të mirë, sepse jemi në finalizim me Komunën e Prizrenit për hapjen e Muzeut të Filigranit”, veçoi ministrja Dumoshi, duke u zotuar se do të mbështeten muzetë në Kosovë me qëllim të pasurimit të fondit muzeal dhe ngritjen e kapaciteteve të punonjësve sipas nevojës dhe kërkesës.
Ndërsa rektori Dema tha se është kënaqësi që po nënshkruhet ky memorandum pasi që Muzeu i Historisë së Natyrës do të ketë një rëndësi të madhe jo vetëm për komunitetin po edhe për Universitetin e Prishtinës për shkak rolit edukativ që do të ketë muzeu.
“Muzeu do ta ketë karakterin hulumtues shkencor sepse Universiteti i Prishtinës ka potenciale të mëdha në organizimin e ekspozitave, në ndihmën në ekspertizë që UP-ja do t’ia jep këtij muzeu në organizime të përbashkëta në shumë fusha me çka edhe do të plotësohet edhe një vakum që ka ekzistuar dhe me këtë shfrytëzoj rastin ta falënderoj ministren për projektin në fjalë, i cili është i katërti apo i pesti me Universitetin e Prishtinës”, u shpreh ndër të tjera rektori.
Në fund u shfaq një video-dokumentar i cili tregonte për historikun e muzeve në Kosovë.
18 maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeve, që koordinohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), pjesë e të cilit është edhe Republika e Kosovës, dhe çdo vit Kosova e shënon këtë ditë.