03 Janar 2025

Kosova pritet të bëhet me Parkun e Parë Arkeologjik

Prishtinë, 10 tetor - Deri në fundi të këtij muaj Kosova pritet të bëhet me Parkun e Parë Arkeologjik, atë të Ulpianës Antike.

Ekipet përgjegjëse janë duke punuar intensivisht për këtë dhe një pjesë e mirë e lokalitetit antik të Ulpianës do të jetë e gatshme për vizitorët.

Futja e saj nën mbrojtje të përhershme dhe avancimi i saj në një Park Arkeologjik do të krijojë parakushte të favorshme në ruajtjen dhe promovimin më të mirë këtij lokaliteti arkeologjik.

Kështu kanë thënë për \"Kosova Sot\" drejtues të Institut Arkeologjik të Kosovës, nën kujdesin e të cilit zhvillohet dhe mbikëqyret puna në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës. Në anën tjetër, për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, lokaliteti antik i Ulpianës përfaqëson një nga mrekullitë e trashëgimisë kulturore në vend.

Por, sipas tyre, institucionet shtetërore, përveçse nuk kanë dhënë përkrahjen e duhur për këtë lokalitet, ato edhe kanë neglizhuar tej mase hapjen e këtij lokaliteti për vizitorët. Duke shprehur edhe rezerva nëse institucionet do t\'ia arrijnë që deri në fund të muajit ta bëjnë vendin me park arkeologjik. Gërmimet arkeologjike në Ulpianë kanë rinisë pas lufte, për t\'u intensifikuar në 5 vitet e fundit, ku deri më tani një pjesë e mirë e këtij lokaliteti, që sipas ekspertëve ka një shtrirje prej dhjetëra mijëra kilometra katrorë, të bëhet gati për vizitorët.

Parku, gati në tetor Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha ka thënë se hapja apo themelimi i këtij Parku do të bëhet ashtu siç ishte menduar dhe deri në fund të tetorit, Kosova do të bëhet me Parkun e parë Arkeologjik për të cilin IAK është duke punuar për vite me radhë. Rexha ka thënë se ekipet profesionale janë duke punuar intensivisht në jetësimin e këtij premtimi deri në fund të muajit. Sipas tij, tashmë është kryer puna e ndriçimit, vendparkingjet, rrugicat për vizitorët, e etj.

\"Mendoj se deri në fund të këtij muaji lokaliteti antik i Ulpianës do të shpallet Parku Arkeologjik, që pas futjes nën mbrojtje të përhershme, ka një ngritje statusit të saj. Është duke u punuar intensivisht dhe pjesa dërmues e punë tashmë janë përfunduar për hapjen e këtij parku\", ka thënë Rexha për \"Kosova Sot\".

Ai ka thënë se hyrja në park do të jetë me pagesë, por jo para 2017. \"Në këta muajt e parë hyrja e vizitorëve do të jetë pa pagesë. Por, nga 1 janari i 2017 do të aplikohet pagesa, por ajo do të jetë simbolike, sa për të mbuluar mirëmbajtjen\", ka thënë Rexha.

Pritet fluks i vizitorëve Në anën tjetër, për njohës të fushës dhe zhvillimeve kulturore, themelimi i këtij parku ka një rëndësi të madhe për zhvillimin turizmit dhe promovimin trashëgimisë kulturore.

Sipas tyre, janë të paarsyeshme vonesat dhe neglizhenca e institucioneve për themelimin këtij Parku Arkeologjik. Në një prononcim për \"Kosova Sot\", studiuesi Avni Rudaku ka thënë se Ulpiana paraqet një resor shumë të rëndësishme për zhvillimin turizmit në vendi tonë. Rudaku ka thënë se vonesat e MKRS-së janë sikur vonesat e shpalljes së konkursit për projektet kulturore e gjërash të tilla.

\"Vonesat, zvarritjet janë bërë pjesë të mentalitetit qeverisës. Parku Arkeologjik shpallet si zonë e mbrojtjes së përhershme, ndërsa vonohet hapja e Parkut Arkeologjik të saj. Kjo nuk krijon politika tërheqëse për vizitorë, nuk e promovon atë dhe thjesht e shtyn një mundësi të mirë të vizitorëve për ta përjetuar këtë lokalitet aq të veçantë\", ka thënë Rudaku.

Ndërkaq, eksperti i trashëgimisë, Ylber Vokshi ka thënë se kur në fillim të muajt gusht u proklamua iniciativa që Ulpiana të shpallet dhe të hapet në shtator si Park Arkeologjik, nga të gjithë ata që sadopak e dinë rëndësinë e një ndërmarrje të tillë, e vlerësuan pozitivisht një tendencë të tillë të MRS-së.

Ai ka thënë se një vonesë e tillë me moshapjen e parkut nuk mundet të ketë arsyetim formal apo justifikim tipik \"alla shqiptarçe\" pasi Ulpiana është një vlerë e madhe që duhet plasuar në opinionin vendor dhe ndërkombëtar.

\"Nga kjo neglizhencë Kosova humb shumë në kohë që të dokumentojë ekzistencën e shqiptarëve në këto troje. Identiteti urban i civilizimit pellazgo-ilir nuk ka mundësi të kontestohet më nga askush, posaçërisht nga sllavët e jugut.\"

\"Fusha e arkeologjisë, antropologjisë, historisë, organizimit urban të qytetit të Ulpianës etj., do të hapë horizonte të reja për hulumtime shkencore\", ka pohuar Vokshi, duke shtuar se edhe fusha e turizmit me përgatitje korrekte ka mundësi që parkun ta plasojë si atraksion të rëndësishëm botëror, ku numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj nga e tërë bota do të jetë i madh.

Janë këto disa nga benifitet që do të kishte Kosova me hapjen e Parkut Arkeologjik të Ulpianës. Muaj më parë gjatë një vizite në lokalitetin antik të Ulpianës, edhe ministri i Kulturës Kujtim Shala kishte paralajmëruar hapjen e Parkut Arkeologjik të Ulpianës.

/Kosova Sot/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)