Kosova, pjesëmarrëse në Bienalen e Arkitekturës në Venedik
Prishtinë, 15 mars - Asociacioni Italian i Arkitekturës ka nominuar studiot më të mira nga Kosova për pjesëmarrje në Bienalen e Arkitekturës në Venedik.
Këtë vit, Asociacioni Italian i Arkitekturës dhe Kritikës, nëpërmjet arkitektes dhe këshilltares nga Kosova, Vjollca Limani-Xhemaj, i ka përzgjedhur katër studio nga Kosova të arkitekturës si më të mirat në vendin tonë. Në listën e ngushtë të studiove më të mira kosovare të arkitekturës janë përzgjedhur Paçarizi Architects, Urban Plus, Murseli Architects + Partners dhe Anarch.
Më tej, kompania fituese nga Kosova do të prezantohet edhe në Bienalen e Arkitekturës në Venedik, si përfaqësuesja më e mirë e arkitekturës së vendit tonë në Evropë. Kompanitë fituese do të prezantohen në një libër të ri që do të botohet nga Asociacioni Italian, së bashku me rreth 40 kompani tjera evropiane të arkitekturës, të cilat po e ndryshojnë botën dhe pamjen e saj, me punën dhe projektet e tyre.
Ne do ta publikojmë një libër i cili do të fokusohet në gjetjen e praktikave më inovative evropiane që po e ri-formësojnë botën në mënyrë të mençur. Qëllimi ynë është që ta publikojmë një libër me punën e 30-40 firmave evropiane të arkitekturës, për çdo shtet nga një. Më pas, raporti i plotë do ti prezantojë arkitektët të cilët me punën e tyre po e ndërtojnë të ardhmen e arkitekturës, është thënë në njoftimin e AIAC-së.
Deri më tani, Kosova është prezantuar në faqen zyrtare të AIAC me projektet e Urban Plus-it, Anarch-i si dhe Murseli Architects + Partners.
Bashkëthemeluesja e UrbanPlus-iy, Ardita Byci-Jakupi, ka thënë se është tejet e rëndësishme që Kosova të marrë pjesë në këtë garë dhe të jetë pjesë e hartës evropiane të arkitekturës. Kjo garë ia mundëson Kosovës që të jetë pjesë e hartës evropiane të arkitekturës, prandaj pjesëmarrja në këtë raport është e rëndësishme. Unë po shpresoj që UrbanPlus të jetë një kandidat i fortë, sepse ne për shumë vite rresht jemi munduar që të kontribuojmë në zhvillimin e planifikimit urban, modernizimit të arkitekturës kosovare si dhe në ndërtimin e koncepteve të arkitekturës së qëndrueshme. Këto koncepte të arkitekturës bashkëkohore, ne jemi munduar ti përfshijmë në pothuajse çdo projekt në të cilin jemi angazhuar, ka thënë Byci-Jakupi.
Studioja e arkitekturës dhe planifikimit urban Urban Plus është prezantuar me projektin e shkollës Model, ndërsa Anarch-i është prezantuar me projektin e ndërtesës së televizionit Klan Kosova.
Në faqen e PresS/TInternational është prezantuar edhe puna e studios kosovare Murseli Architects + Partners me projektin Family Villa-s.