Kosova dhe Shqipëria me Kalendar të Përbashkët Kulturor
Tiranë, 13 shkurt - Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët vjetor kulturor. Sot në Tiranë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi dhe Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro - Furxhi nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, me të cilin edhe u themelua Kalendari i Përbashkët Kulturor.
Protokolli i Bashkëpunimit do të jetë në fuqi për katër vjetët e ardhshme, me mundësi të plotësimit. Kalendari i përbashkët ndërkaq do të plotësohet çdo vit. Për vitin 2014 është miratuar sot.
Protokolli i Bashkëpunimit dhe themelimi i kalendarit të përbashkët kulturor pason disa takime të mbajtura në Prishtinë dhe Tiranë prej muajit shtator të vitit 2013 dhe mbledhjes së dy qeverive në muajin Janar të vitit 2014.
Ministri Memli Krasniqi e vlerësoi Protokollin e Bashkëpunimit dhe themelimin e Kalendarit Kulturor si një etapë e re e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ky takim i sotshëm, padyshim që shënon një etapë të re për dy vendet tona dhe në përgjithësi për kombin tonë. Është e një rëndësie të veçantë për bashkëpunimin tonë kulturor, ku ka një angazhim special të dy kryeministrave tonë. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive tona ka qenë një hap historik, nga i cili takim po konkretizohen edhe hapat në fushat e ndryshme të bashkëpunimit, në rastin e sotshëm edhe në kulturë. Kosovën dhe Shqipërinë, do të thosha nuk ka asgjë që i ndanë, madje as fizikisht më. Tashmë, gjithë këtë potencial që e kemi në skenën tonë kulturore-artistike-traditën, por edhe në shumë gjëra të tjera duhet ti zhvillojmë dhe njëkohësisht ti ruajmë bashkërisht dhe në koordinim të plotë ndërmjet veti, ka thënë ministri Krasniqi, teksa ka shtuar se Kalendari i Përbashkët Kulturor do të jetë një përkushtim i dy qeverive ndaj kulturës.
Ne jemi munduar që ti japim rëndësi disa aspekteve si; ruajtjen e vlerave dhe traditës, fuqizimin e skenës kulturore në jetën tonë shoqërore, promovimin e skenave tona kulturore dhe natyrisht çeljes së udhës për gjeneratat e reja që të krijojnë vlera, duke pasur gjithmonë në mendje gjenerata të tëra artistësh që kanë ndërtuar imazhin e vërtetë të kombit tonë, ka thënë ai.
Ministri Krasniqi ka ftuar ministren Kumbaro dhe drejtuesit e institucioneve të kulturës në Shqipëri që nga nesër të vijnë në Kosovë për të festuar bashkë përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës.
Nga ana tjetër Ministrja Kumbaro-Furxhi tha se kjo lidhje e bashkëpunimit nuk është thjeshtë deklarative por një hap konkret.
Ne jemi sot bashkë për të bërë një hap përpara në njohjen tonë të ndërsjellët, në lidhjet tona, shkëmbimin e ideve dhe përvojave. Jemi bashkë këtu jo vetëm për deklarata, por për një projekt të përbashkët kulturor, për aksionet tona, për publikun tonë këtu dhe atje, për njerëzit e artit, për një varg të përbashkët të trashëgimisë kulturore. Projektin tonë të përbashkët unë e ndjej si një qarkullim të vlerave të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave në menaxhimin e institucioneve të artit, tha ajo.
Kumbaro Furxhi tha se kultura është hapësira jonë e përbashkët dhe nuk ka kurrfarë kufizimesh në angazhim dhe veprime konkrete.
Ministri Krasniqi dhe Ministrja Kumbaro- Furxhi po ashtu kanë bërë sot homazhe tek varri i këngëtares së njohur shqiptare, Vace Zela.
Kalendari i përbashkët kulturor do të nisë qysh nesër me ekspozitën Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Kalendari i përbashkët kulturor fillon menjëherë që në datën 14 shkurt.
- Ekspozita e Fototekës Marubi në bashkëpunim me Galerinë e Arteve të Prishtinës: Objekti i lëvizshëm i një arkivi- 14 shkurt, 2014 në Prishtinë.
- Shfaqja për fëmijë Princesha Teuta dhe Këngë e valle popullore dhe poezi të Qendrës Kombëtare Fëmijëve, Tiranë do të jetë në Prizren, më 17 shkurt 2014
- Në kuadër të përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipërisë, respektivisht në shkurt dhe nëntor, do të organizohen shfaqje filmash në Prishtinë dhe Tiranë, të arkivit të filmit nga të dyja vendet
- Botohet vepra e plotë e Jeronim De Radës-shoqëruar me aktivitetin promovues në Kozencë, Tiranë dhe Prishtinë
- Do të botohet antologji e poezisë shqipe të shekullit XX, mbështetur nga të dy Ministritë
- Shpallim sot angazhimin e përbashkët për mbështetjen e Festivalit të Gjirokastrës në vitin 2015.
- Në vijim të angazhimit të dy qeverive, edhe Doku Fest është pjesë e këtij kalendari.
- Në muajin mars për herë të parë vjen në Tiranë trupa e baletit dhe solistet e Teatrit të baletit të Prishtinës me shfaqjen Dashuria që vret.
- Gjithashtu nga Prishtina vjen shfaqja Ballo e Diplomës
- Angazhim konkret për përfshirjen e artistëve nga Kosova në projekte të TKOB në Tiranë
- Kalendari kulturor përfshin hapësirë të përbashkët për filmin në festivalet prestigjioze si Berlinale dhe Kanë, viti 2015
- Në muajin shtator Qendra Kombëtare e Fëmijëve do të organizojë shfaqjen në Prishtinë dhe në Tiranë Dy trëndafila një kurorë.
- Në artin pamor në Tiranë do të organizohet ekspozitë e Simon Shirokës.
- Në Prishtinë një ekspozitë e Realizmit Socialist.
- Konferencë vjetore një herë në Prishtinë dhe një herë në Tiranë për trashëgiminë kulturore materiale dhe jo materiale me tematika specifike.
- Trajnime te përbashkëta nga specialistet e Unescos dhe organizata të tjera.
- Trajnime nga stafi i Bibliotekës kombëtare në Tiranë për specialistët në Prishtinë.
- Pjesëmarrje e përfaqësuesve nga Kosova në aktivitetet e Agjencisë të Shërbimit Arkeologjik
- Premierë e përbashkët dhe produksion koreografik të ansamblit të këngëve dhe valleve popullore dhe ansamblit Shota Pazari i Korçës dhe Prizrenit.
- Më së paku shfaqja e një premiere në Tiranë dhe Prishtinë e Teatrove Kombëtare.
- Konferenca për dramaturgjinë në Tiranë