Kosova dërgon Home Sweet Home në garën e Oscars
Prishtinë, 15 shtator - Filmi Home Sweet Home do të përfaqësoj Kosovën si propozimi zyrtar për konsiderim në kategorinë Filmi më i mirë i huaj të Akademisë Oscar.
Filmi debutues i Faton Bajraktarit Home Sweet Home me skenar nga Zymber Kelmendi ku luajnë aktorët e njohur si Donat Qosja, Arta Muçaj e Shkumbin Istrefi, pati premierën ndërkombëtare këtë vit në festivalin prestigjioz Karlovy Vary.
Ky film tregon historinë e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi, ai përballet me rrethin, të cilët, emrin e tij e kanë përdorur për përfitime personale.
Home Sweet Home është prodhim i kompanisë filmike Cineproduction dhe \'Arnel Production\' me producent Trim Musliu dhe Senad Abduli, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Agjencia e Filmit në Maqedoni.
Ky është viti i tretë që Kosova propozon film për konsiderim për filmin më të mirë të huaj në Oscars. Vitin e kaluar Kosova ka propozuar filmin Babai të Visar Morinës ndërsa propozimi i parë ka qenë filmi Tri Dritare dhe një Varje nga Isa Qosja.
Për më shumë në këtë fillim vit, filmi i shkurtër Shok ka qenë i nominuar në kategorinë Best Live Action Short Film në Akademinë Oscars duke shënuar kështu herën e parë që një film kosovar nominohet për Oscar.