Konstituohet Këshilli për trashëgiminë Kulturore të Prizrenit
Prizren, 8 shkurt - Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, u votua për anëtarët e rinj të Këshillit për Qendrën Historike të Prizrenit, sot, ky organ mbajti mbledhjen e parë, në të cilën u bë konstituimi i Këshillit dhe u zgjodh kryesuesi i saj, Arbnor Morina.
Anëtarë të Këshillit janë: Arbnor Morina, Faridin Shala, Artnet Haskuka, Lutfi Ballëk, Don Shan Zefi, Svetlana Hagjiç dhe Igballka Rama.
Roli i Këshillit është të vëzhgojë dhe këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ky këshill është një mekanizëm shumë i rëndësishëm i cili do të këshillojë institucionet me qëllim të ruajtjes së Zonës Historike të Prizrenit, dhe po ashtu do të bashkëpunojë ngushtë me QRTK-në, Drejtorinë e Urbanizmit, dhe me organizatat e ndryshme të cilat si fushëveprim kanë trashëgiminë.
Zyra e Këshillit gjendet në Kompleksin Evropa, në qendër të Prizrenit.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit, do të mbështesë fuqishëm punën e Këshillit, duke ofruar edhe mbështetjen për aktivitetet dhe veprimet e tij, të dala nga legjislacioni përkatës, por në të njëjtën kohë, do të mbikëqyr dhe do të kërkojë raport për punën e tij.