Komuna e Prizrenit vazhdon punimet pa pëlqimin e MKRS-së
Prishtinë, 30 mars - EC Ma Ndryshe gjatë ditëve të fundit ka përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth projektit për ndërtimin e bibliotekës në afërsi të shkollës së vjetër \"Ryzhdije\".
Në bazë të informatave të marra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve rezulton se ky dikaster ende nuk e ka dhënë pëlqimin përfundimtar për projektin e ndërtimit të Bibliotekës. Ndërkohë në saje të vëzhgimit në terren shihet se tashmë punimet në këtë hapësirë kanë nisur.
Në shkresën elektronike të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së theksohet se kjo ministri ka shqyrtuar projektin e dorëzuar nga Komuna e Prizrenit, konform rekomandimeve të Komisionit ku është kërkuar rishikimi dhe plotësimi i projektit.
I njëjti projekt nuk është plotësuar në tërësi. Për këtë kemi kontaktuar me drejtoritë përkatëse të Komunës, dhe me gjithë vullnetin dhe zotimin e tyre projekti ende nuk është dorëzuar i plotësuar. Si i tillë nuk është i miratuar nga MKRS, thuhet në shkresën e MKRS-së.
MKRS ka konfirmuar po ashtu se është informuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për fillimin e punimeve dhe se tashmë ka pranuar edhe raportin e parë të vizitës në terren.
Në këtë situatë është e qartë se për realizimin e këtij projekti, Komuna e Prizrenit ende nuk i ka përmbushur procedurat e duhura ligjore. EC Ma Ndryshe në muajin janar ka evidentuar se Komuna e Prizrenit ka vënë gurthemelin për ndërtimin e Bibliotekës pa e marrë pëlqimin e MKRS-së, derisa tanimë edhe po i vijon punimet pa i përfillur kriteret ligjore.
EC Ma Ndryshe përkujton se ish-shkolla e Ryzhdijes është pronë e mbrojtur e Trashëgimisë Kulturore, në listën e mbrojtjes së përkohshme të MKRS-së, dhe se si e tillë meriton që të ketë një kujdes më të shtuar nga institucionet.
Për këtë arsye EC Ma Ndryshe i bën thirrje Komunës së Prizrenit që të ndërpresë menjëherë të gjitha punimet në ndërtimin e bibliotekës dhe të ndjekë rrugën ligjore të pajisjes me pëlqime nga institucionet kompetente.
Në anën tjetër Qeveria e Kosovës duhet të reagoj me veprime konkrete në mënyrë që të sigurojë ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur.
EC Ma Ndryshe në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.