Komuna e Prizrenit ndan 10 mijë euro për festivalin Nine Eleven
Prizren, 17 korrik - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" gjatë kësaj jave ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.
Ekzekutivi lokal me kërkesën e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nxjerrë konkluzionin për përkrahjen e festivalit tradicional të filmit 9/11 Nine Eleven Dedication Festival që deri më tani është mbajtur në Prishtinë, me 10 mijë euro.
Vendimi nuk ka qenë unanim, pasi që zyrtarë të caktuar të qeverisë komunale kanë votuar kundër. Vendimi gjithashtu është përcjellë me diskutime, me çrast është kërkuar që të konfirmohet mbështetja edhe për festivalin Dokufest që tradicionalisht mbahet në Prizren.
Edhe pse ndarja e mjeteve për festivalin Dokufest nuk ka qenë e paraparë në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, kjo pikë është shqyrtuar dhe qeveria lokale e Prizrenit ka marrë vendim që Dokufestin ta përkrah me 15 mijë euro.
Ndërkohë kryetari i komunës ka theksuar se pos 15 mijë eurove komuna do të ofroj edhe përkrahje logjistike për Dokufestin, duke ofruar shërbime të transportit, zërimit, pajisjeve, etj.
Në këtë takim ka kaluar edhe një propozim tjetër i DKRS-së, që ka pas të bëj me organizimin e kursit të notit nga Asociacioni për Kulturë, Rini dhe Sport Arena, që është mbështetur me 4 mijë euro.
Qeveria komunale ka miratuar edhe vendimin e propozuar nga Drejtoria për Shërbime Publike për lejimin e shpalljes së tenderit për ndërtimin me elemente të betonit të disa rrugëve lokale (lagjja Hajzeraj Nashec, rrugët Oso Kuka, Meriman Jakupi dhe Mbreti Gent në Prizren) dhe kanalizimit në rrugën Emin Abazi në Prizren, me participim.
Gjithashtu është aprovuar edhe kërkesa Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale për lejimin e shpalljes së tenderit për rregullimin e infrastrukturës mjedisore te banesat për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe rasteve sociale.
Drita e gjelbër i është dhënë edhe propozimit të Drejtorisë së Shëndetësisë për ofrimin e mbështetjes financiare për 19 pacientë që vuajnë nga sëmundje të rënda.
Në këtë mbledhje ka kaluar edhe propozimi i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural rreth lejimit të shpalljes së tenderit për subvencionimin e fermerëve të komunës së Prizrenit me farë të grurit.